Sindikata e Judikaturës së Kosovës, të premten është takuar me kryesuesit e dy këshillave, Skënder Çoçaj e Bahri Hysenin dhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin, me qëllim të diskutimit të kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me statusin e administratës së gjykatave dhe prokurorive. Kjo sindikatë kishte paralajmëruar greva nga data 1 korrik, por që të njëjtit pas këtij takimi kanë njoftuar se do të pezullohet deri më 1 tetor.
Kështu ka njoftuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas të cilëve palët u pajtuan që të punohet së bashku me përfaqësuesit e sindikatës për hartimin e dokumentit për sistematizimin e vendeve të punës sipas ligjit të ri për pagat.“Palët u pajtuan që: të punohet së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës për hartimin e dokumentit për sistematizim e vendeve të punës sipas Ligjit të ri për pagat, të përfundojë procesi i rikthimit të stafit administrativ-teknik në shërbyes civilë, si dhe të bëhen përpjekje për realizimin e pagesës së shtesës prej 50 eurosh nga 1 janari 2019, siç është bërë deri më tani. Pas arritjes së pajtueshmërisë për këto pika, përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës së Kosovës konfirmuan se greva e paralajmëruar për të hënën më 1 korrik 2019 do të mbetet e pezulluar deri më 1 tetor 2019”, thuhet në këtë njoftim.
E ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri pas këtij takimi për KosovaPress tha se në bazë të përgatitjeve që janë duke u bërë në kuadër të ligjit për paga, janë duke punuar edhe rreth klasifikimit të vendeve të punës.
Pas këtij takimi edhe ministri Tahiri ka konfirmuar që sindikalistët do të pezullojnë për një kohë këtë grevë të paralajmëruar.
Ndryshe, ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj sindikate, Bahri Jashari gjatë ditës së djeshme kishte bërë të ditur për KosovaPress, se janë të detyruar të hynë në grevë, pasi kërkesat e tyre nuk janë plotësuar. I njëjti kishte thënë se në takimin e sotëm, do të paraqesin kërkesat e tyre, për të parë se a ka vullnet për plotësimin e tyre, sepse në të kundërtën sipas tij, greva është e pashmangshme .







