Pezullohen tre policë në Shtime, akuzohen për dhunë brutale ndaj dy të arrestuarve VIDEO

Diamant Hetemi, tash e dy muaj nuk po mund t’i japë përgjigje një pyetjeje: se pse ishte viktimë e dhunës brutale nga zyrtarë të policisë, dhe atë në brenda një stacioni policor.

Incidenti që ndodhi brenda Stacionit në Shtime më 6 tetor, ka rezultuar me tre zyrtarë të Policisë të suspenduar, njëri prej të cilëve me gradë rreshteri, raporton KTV.

Përveç Hetemit, viktimë e këtij rasti ishte edhe Arben Ademi, që kishte marrë lëndime të rënda trupore dhe ishte në operuar në QKUK, pasi mes tjerash, kishte edhe nofullën të thyer në katër vende.

Ademi, nga ajo që ka kuptuar televizioni, vazhdon të përballet me probleme shëndetësore dhe trajtimin është duke e vazhduar në një klinikë në Maqedoninë e Veriut.

Për këtë rast, Inspektorati Policor fillimisht kishte rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, e pas hetimeve shtesë, më 11 tetor edhe të rreshterit.

Në kallëzimin penal që hetuesit e këtij institucioni e kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, pretendohet se të tre zyrtarët policorë, kanë kryer veprat penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” si dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

“Pas këtyre veprimeve hetimore dhe analizimit të video-incizimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë incident me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, nga neni 195 i Kodit Penal, si dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’ nga neni 186.Pas veprimeve shtesë hetimore, Inspektorati Policor i Kosovës në konsultim me prokurorin kompetent, ka zgjeruar hetimet edhe ndaj zyrtarit të tretë si i dyshuar në këtë rast ku më 11.10.2019 është bërë rekomandimi për suspendimin e tij (zyrtar policor me gradë të rreshterit). Hetuesit e IPK-së, më 08 nëntor 2019, në konsultim me prokurorin kompetent, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ndaj tre zyrtarëve të dyshuar në këtë rast se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, si dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’”, ka thënë Inspektorati Policor i Kosovës.

Kallëzimi është dorëzuar më 8 nëntor të këtij viti pranë kësaj prokurorie, por e njëjta, lëndën e ka përcjellë në atë të Gjilanit.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, që ka bërë të ditur se vetëm të martën e kanë pranuar lëndën e këtij rasti.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ka pranuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, me datë 10.12.2019, kallëzimin penal ndaj 3 zyrtarëve policorë, i cili menjëherë i është ndarë prokurorit kompetent për krime të rënda, i cili ka angazhuar hetues nga IPK-ja, që do t’i zhvillojë edhe disa hetime në drejtim të veprave penale ‘lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare’, për tre të dyshuarit, sipas kallëzimit penal”, ka thënë Jetish Maloku, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.

Përveç Prokurorisë që po e heton këtë rast, një hetim e ka nisur edhe institucioni i Avokatit i Popullit.

Arben Ademi dhe Diamant Hetemi, rreth orës 21:00, në ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit, ishin ndaluar për 48 orë në Stacionin e Shtimes nën pretendimet se kishin sulmuar zyrtarët policorë, por video-incizimet nga kamerat e sigurisë në stacion, kishin bërë që ata të liroheshin menjëherë dhe të nisnin hetimet ndaj zyrtarëve policorë.