Pezullimi i Ligjit të Pagave, sindikatat i drejtohen Kushtetueses

SBASHK-u, Sindikata e Shëndetësisë, ajo e Policisë, Doganës dhe Zjarrfikësve, pas takimit me Avokatin e Popullit, kanë dorëzuar sot kërkesën e përbashkët në Gjykatën Kushtetuese për revokimin e masës së përkohshme për pezullimin e Ligjit të pagave.

Për këtë angazhim këto pesë sindikata kanë informuar edhe Avokatin e  Popullit gjatë takimit me të dhe janë të bindur se Kushtetuesja  do ta merr në shqyrtim këtë kërkesë  dhe atë që Avokati i Popullit e kishte proceduar bazuar në kërkesat e institucioneve arsimore të arsimit, që ishin nënshkruar nga anëtarët e SBASHK-ut dhe ishin dorëzuar në adresën e Institucionit të Avokatit të Popullit.

SBASHK, FSSHK-ja, SPK-ja, Sindikata e Doganës së Kosovës dhe ajo e Zjarrfikësve në takimin e sotëm, krahas aprovimit të kërkesës së përbashkët drejtuar Kushtetueses janë pajtuar që të vazhdohet me takimet konsultative me qëllim që angazhimet të jenë të përbashkëta lidhur me Ligjin e pagave, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme për anëtarësinë e këtyre 5 sindikatave, që përfaqësojnë të punësuarit në sektorë shumë të rëndësishëm.