Petkoviq sulmon eurodeputeten gjermane që tha se Serbia do ta njohë Kosovën

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyre për Kosovë’ në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, u ankua në eurodeputeten gjermane Viola von Cramon pas deklaratave të saj se edhe vet presidenti serb e di se në fund të procesit të dialogut Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Petkovic në përgjigje të deklaratës se von Cramon tha se ajo është promovuese e hapur e pavarësisë së Kosovës dhe flet vetëm ato që kanë qejf të dëgjojnë politikanët në Prishtinë.

Petkovic shmangu pjesën tjetër të intervistës së von Cramon për DW kur kritikoi institucionet e Kosovës.

Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, për DW kishte deklaruar se pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia është i pashmangshëm dhe se edhe vet presidenti serb është i vetëdijshëm për këtë. Ajo kishte theksuar se kjo është edhe kusht për anëtarësim të Serbisë në BE.

Petkovic përmes një komunikate, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se “Serbia, në kundërshtim me pretendimet e saj [Von Cramon], nuk kalkulon me çështjen e statusit të Kosovës, sepse qëndrimi i Serbisë, ndryshe nga ato që përfaqëson Von Cramon, është i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, por edhe në vlerat evropiane”.

Ai deklaroi se “Von Cramon do të ushtronte funksionin e raportuesit të Parlamentit Evropian më me zell dhe ndershmëri nëse do t’ia kushtonte një pjesë të kohës dhe vëmendjes së saj rrezikimit të Kishës Ortodokse Serbe dhe popullit serb në Kosovë, faktit se askush në terren nuk merret me ndjekjen penale të personave përgjegjës për vrasjet dhe rrëmbimet”.

“Edhe njëherë, sinqerisht i zhgënjyer, konstatoj se është dëm i madh edhe për parlamentin e Europës dhe për banorët e Kosovës e Metohisë që një post me kaq përgjegjësi dhe me potencial përfitues e mban personi që nuk është i përgatitur të kryej punën e saj me sinqeritet dhe në përputhshmëri me vlerat europiane” , citohet të ketë thënë ai.