LAJMI I FUNDIT

Petkoviq: Kosova refuzoi ftesën për takim në Bruksel më 7 nëntor

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pala kosovare ka refuzuar ftesën për takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel më 7 nëntor, ndërsa thotë se Beogradi i është përgjigjur pozitivisht ftesës, raporton “Tanjug”.

Të dielën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se rundi i ri i dialogut ishte paraparë të mbahej në Bruksel më 6 apo 7 nëntor, porse pala kosovare e refuzoi ftesën.

Petkoviq ka thënë se më 30 tetor, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, u ka dërguar një email Beogradit e Prishtinës për t’u mbajtur një rund i radhës i dialogut më 7 nëntor.

Lajçak të hënën ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë. Ai është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ndërsa të martën pritet të takohet me krerët e partive opozitare.