Petkoviq i reagon kryeministrit Kurti pasi tha se Beogradi duhet të ndryshojë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, pasi shefi i qeverisë tha se Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu të përfundojë me marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.

Kryenegociatori serb Petkoviq, ka thënë se ai që duhet të ndryshojë është kryeministri Kurti dhe të fillojë t’i përmbushë obligimet e tij nga dialogu i Brukselit.

Petkoviq ka numëruar sërish ditët me numra, për atë që ai e quan si moszbatim të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

“Sot bëhen 3,322 ditë që Prishtina nuk e ka formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe s’i ka impelementuar një numër marrëveshjesh tjera në fushën e energjisë.

“Beogradi ka qëndrimin e tij parimor, që nënkupton kërkimin e kompromisit në dialog, si i vetmi mekanizëm për zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë, kështu që Kurti nuk do të mund të ndryshojë qëndrimin e Beogradit zyrtar me retorikën e tij shantazhuese, të udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiq që në mënyrë të palëkundur përpiqet të sigurojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë fushë”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka komentuar edhe vizitën e Kryeministrit Albin Kurti në SHBA.

“Kuptohet që shtrirja e vizitës së Kurtit në SHBA është e pakët, ndaj sipas recetës së tij të sprovuar, ai sheh fajtorët në detyrë dhe targeton sa herë që situata politike në Kosovë nuk e ndihmon. Në vend të shantazheve dhe urimeve si “njohja reciproke”, do të ishte më mirë që Kurti t’i kthejë fjalët si mirëkuptim reciprok, kompromis, dialog dhe respektim i marrëveshjeve në fjalorin politik dhe agjendën politike, sepse kjo është mënyra e vetme dhe e sigurt për normalizimin e situatës në Kosovë”, ka thënë Petkoviq.

Kurti sot pas kthimit në Prishtinë para gazetarëve ka thënë se në SHBA kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast i kanë njoftuar se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Vizita nuk ka qenë e shkurtë. Dy kanë qenë qëllimet kryesore të kësaj vizite në SHBA. E para është investimet në Kosovë dhe siguria për Kosovën. Shumicën e takimeve i kam pasur me kompani të ndryshme që i kam njoftuar për progresin në Kosovë dhe kam kërkuar kontributin e tyre. Dhe siguria për Kosovën në me problemet që i kemi në Ballkan, pasi Beogradi zyrtar ka lidhja të ngushtë me një shtet që ndodhet në luftë në Ukrainë”, tha Kurti.