Petkoviq: Dje insistova të flasim për Asociacionin në Bruksel

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, pas takimit të djeshëm në Bruksel me Emisarin e BE-së, Lajcak, tha se ka insistuar që të flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe për të cilën çështje s’ka pranuar kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi.

Ai tha se bisedimet në Bruksel u penguan nga vendimi i Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“E shfrytëzova gjithashtu këtë moment për të protestuar kundër vendimit të njëanshëm dhe ilegal të Prishtinës”, tha Petkoviq para gazetarëve.

Petkoviq tha se bisedimet ishin të vështira dhe kanë zgjatur më shumë se 8 orë.

“Fakti që jemi akoma këtu në Bruksel tregojnë se jemi palë e përgjegjshme që kujdeset për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe nëse dikush na sulmon ne jemi ata që duam destabilizim dhe ka pasur përpjekje ditëve të fundit, ne jemi pala e përgjegjshme”, ka deklaruar ai.

Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha poashtu se Asociacioni është çështja kyçe dhe më e rëndësishmja për Beogradin.

“Kjo është çështje kyçe për ne, pa atë s’ka normalizim të marrëdhënieve. Është korrnizë për të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve në Kosovë dhe ne duhet t’i mbrojmë njerëzit taë në Kosovë”, u shpreh ai.

Petkoviq pretendon se pala serbe ofroi zgjidhje konstruktive në bisedime.

Diskutimet e djeshme kanë vazhduar për temat që janë diskutuar tri javë më parë, duke përfshirë çështjen e targave të makinave.

Besnik Bislimi, kryenegocatiori kosovar, e ka quajtur udhëtimin në Bruksel të kotë, pasi tha se pala serbe nuk ka prezantuar një propozim në lidhje me çështjen e targave që sipas tij e kishin paralajmëruar.

“Pritjet kanë qenë shumë të mëdha meqë takimi ka ndodhur me kërkesë të palës serbe. Fatkeqësisht sot e pamë një sjellje shumë të çuditshme të palës serbe që thotë se kemi një ide por nuk mund ta shpalosim”, tha Bislimi.