Petkoviq: Bërnabiqit iu bë pritje madhështore, Kurti po shkon fshehtas në veri nga frika se mos takon ndonjë serb

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, sërish ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “nuk ka çfarë të kërkojë në veri të Mitrovicës”.

Madje, sipas Petkoviqit, Kurti po i bën fshehurazi vizitat atje.

“Suksesin e vizitës së Ana Brnabiqit në krahinën tonë jugore e dëshmon më së miri fakti se pikërisht të nesërmen, Albin Kurti vrapoi për të bërë fotografi në veri të Kosovës. Vetëm se Ana Brnabiq u prit me entuziazëm nga mijëra serbë, ndërsa Kurti duhej ta bënte vizitën fshehurazi, që të mos e takonte rastësisht ndonjë serb dhe të vetmit që e pritën të ishin anëtarë të Rosu-s”, tha Petoviq.

Sipas tij qëllimi i vetëm i Kurtit është “të shkaktojë tensione, provokime dhe destabilitet”.

Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vendosur lule në vendin ku ra heroi Enver Zymberi, me rastin e 23 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Ata kanë vizituar edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik të Zubin Potokut, si dhe kampin Belvedere në Mitrovicë.