Petar Petkoviq

Petkoviq bashkëbiseduesit për dialog nga Kosova i quan “të pandershëm e jokredibilë”

Drejtori i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha sot se e vetmja mënyrë që të vazhdojë dialogu Beograd-Prishtinë është vazhdimi esencial i Prishtinës i respektimit të detyrimeve të saj nga marrëveshjet e Brukselit dhe mundësimi i formimit të Asociacionit (Bashkësisë, siç e quajnë serbët) të Komunave Serbe, e citojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Në një komunikatë të tij ai ka theksuar se për dialogun Beograd-Prishtinë do të ishte më mirë sikur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ta informonte të dërguan special të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçakun se kur do të mundësojë formimin e AKS-së sesa që i ka parashtruar “listën e dëshirave” për njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Sipas Petkoviqit, kandidimi i temave që nuk janë në sferën e realitetit nuk do të ndihmojnë që dialogu të lëvizë nga pika e vdekjes.

“E vetmja mënyrë që procesi i normalizimit të marrëdhënieve të vazhdojë është që Prishtina jo vetëm formalisht, por thelbësisht të përmbushë detyrimet e veta të marra përsipër para shtatë vjetësh e gjysmë dhe përfundimisht të pushojë të bishtnojë formimin e AKS-së”, është shprehur Petkoviq

Ai ka shtuar se opinioni ka mbetur i mangët për informacionin se si reagon BE-ja ndaj faktit se për Prishtinën “nuk kanë asnjë domethënie as nënshkrimet në marrëveshje, as fjala e dhënë”.

Petkoviq është shprehur se Beogradi mbetet sinqerisht e përcaktuar për dialog, porse dialog produktiv nuk mund të ketë me “bashkëbisedues të pandershëm dhe jokredibilë”.

“Me siguri do të ndeshim në mirëkuptimin e partnerëve tanë europianë”, ka thënë Petkoviq.