Anke Konrad

Petkoviq ankohet tek ambasadorja gjermane për punën e “ndalimit të dinarit” në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është takuar sot me ambasadoren gjermane në Beograd, Anke Konrad.

Petkoviq është ankuar tek diplomatja gjermane për “ndalimin e dinarit”, e që sipas politikanit serb do të ndodh pas datës 1 shkurt 2024, duke e ndërlidhur me rregulloren e re të BQK-së.

“Drejtori i Zyrës për Kosovë theksoi se Beogradi dhe populli serb në Kosovë janë shumë të shqetësuar për njoftimin e Prishtinës se nga 1 shkurti do të ndalojnë transaksionet e pagesave me Serbinë dhe do të ndalojnë dinarin si mjet pagese”, thuhet në komunikatën e zyrës që drejton Petkoviq.

Lidhur me këtë propagandë të Serbisë për punën e dinarit, të enjten ka dhënë sqarime numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi. Ai ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë mund t’i marrin pagesat nga Beogradi në institucionet financiare të Kosovës të konvertuara në euro.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka sqaruar se rregullorja e re e BQK-së nuk e ka ndaluar dinarin, pasi një gjë e tillë asnjëherë s’ka qenë e lejuar. Ai ka thënë se rregullorja vetëm ua ngushton hapësirën e veprimit atyre që kanë transportuar dinarë me thasë ilegalisht nga Serbia dhe i kanë shpërndarë tek komuniteti serb në Kosovë.

BONUS VIDEO: Bekë Berisha: AAK-ja aktualisht është 12 për qind, sivjet shkojmë në zgjedhje