Peticioni online për heqjen e vizave për Kosovën, zyrtarja e BE-së njofton sa nënshkrime janë mbledhur

Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian, ditë më parë ka nisur një peticion online për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Schneeberger duke kërkuar që të ndalet izolimi i Kosovës ka thënë se ka ardhur koha që liberalizimi të ndodhë dhe kosovarët të ndjehen të barabartë me qytetarët evropianë.

“Mos e izoloni Kosovën. Tani është koha. Të drejta të barabarta për qytetarët e Kosovës si për qytetarët e BE-së. Të drejta të barabarta për të gjithë evropianët”, kishte shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

Së fundmi ajo ka njoftuar se janë bërë 5 mijë nënshkrime në këtë peticion, duke bërë thirrje që të arrihet numri prej 7 mijë e 500 nënshkrimeve.

“Faleminderit për 5000 nënshkrime. Le të arrijmë 7500”, ka shkruar Schneeberger.

Këtë iniciativë e ka përkrahur edhe ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.

Lunaçek, e ka quajtur iniciativë të rëndësishme nismën e Schneerberger. Ndryshe, Parlamenti Evropian për vite me radhë ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në rastin e Kosovës, Parlamenti ka dhënë edhe pëlqimin e nevojshëm pas rekomandimit të Komisionit Evropian. Por, qëndrimet e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht obliguese për vendet anëtare të BE-së. E, vendimet përfundimtare miratohen në Këshill pikërisht nga shtetet anëtare. /Telegrafi