Peticion për t’iu marrë çmimi Nobel shkrimtarit që e adhuronte Millosheviqin

Çmimi Nobel i është dhënë shkrimtarit Peter Handke, i cili ka qenë përkrahës i “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviqit dhe mik i Radovan Karagjiqit, të dënuar për masakrën e Srebrenicës në Bosnje.

Gjatë ditës ka pasur reagime të shumta për shkak se çmimi Nobel iu dha një shkrimtari që kishte mohuar krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit dhe madje kishte simpati për liderin kriminel.

Ndërkaq në të njëjtën ditë që Handke mori çmimin, është bërë një peticion, në të cilin kërkohet revokimi i dhënies së Nobelit për shkrimtarin austriak.

“Peter Handke është një apologjist i “Kasapit e Ballkanit”, Sllobodan Millosheviqit. Personit i cili ka qenë përgjegjës për mijëra vdekje të të pafajshmëve dhe dhjetëra mijëra gra e burra janë dhunuar. Një person që ka mbrojtur një monstrum nuk e meriton as të njihet në letërsi e lëre më çmimin Nobel. Le të dërgojmë një mesazh të qartë për Komitetin e Çmimit Nobel se ne nuk i harrojmë përkrahësit e masakruesve”, thuhet në peticion.

Edhe Shoqata Amerikane e Shkrimtarëve e ka kundërshtuar dhënien e çmimit Nobel për Letërsi t’i jepet dikujt që vazhdimisht i ka mohuar krimet e luftërave, të cilat janë të dokumentuara.