Peticion online për anulimin e testit të maturës, prindërit e përkrahin

Disa javë para se të mbahet testi i maturës, një grup maturantësh kanë krijuar një peticion online përmes së cilit po kërkojnë anulimin e këtij testi. Brenda 3 ditësh peticionin e kanë nënshkruar afër 7 mijë persona.

Në tekstin e peticionit thuhet se meqenëse matura është çështje e ndjeshme, duhet të krijohen kushte të favorshme në përqendrimin e vëmendjes, krijim të atmosferës emocionale pozitive dhe arritjen e suksesit të përgjithshëm, raporton KOHA.

“Duke marrë parasysh se ky test nuk ka dhënë rezultate në vitet paraprake dhe se nuk është vlerësim adekuat i dijes së nxënësve, besojmë fuqishëm se ky test nuk duhet mbajtur”, thuhet në këtë peticion.

Javë më parë edhe disa drejtorë komunalë të arsimit kanë kërkuar që testi i maturës të shtyhet për më vonë.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, vlerëson se kërkesa e maturantëve për anulim të testit është e drejtë meqë, sipas tij, nëse ai mbahet rrezikohet shëndeti i nxënësve, por edhe nuk mund të priten rezultate të mira për shkak se mësimi qe dy muaj është mbajtur në distancë.

Ndërkaq për njohësin e çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, shtyrja do të ishte opsion më i mirë, kurse anulimi thotë se është problem pasi nuk mund të regjistrohen studimet pa e përfunduar këtë test.

Për t’u anuluar ky test, Pupovci thotë se paraprakisht do të duhej të ndryshohej komplet Ligji i maturës shtetërore.

KOHA ka tentuar të marrë një qëndrim nga ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, rreth kërkesave të maturantëve, por ajo nuk është përgjigjur.

Javën e kaluar Bajrami ka thënë se deri në fund të majit do të vendoset data për mbajtjen e testit të maturës dhe atij të arritshmërisë.

Mbajtja e këtyre testeve është paraparë edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku për këtë është caktuar muaji qershor.