Pesë vjet pas, kur Hashim Thaçi zgjidhej president

Vjosa Osmani synon që sot pasdite të bëhet presidente e Kosovës. Në këtë pozitë, nëse zgjidhet, ajo do ta pasonte Hashim Thaçin, ish-liderin e PDK-së që ishte zgjedhur shef i shtetit para pesë vitesh, në një situatë edhe më dramatike e të tensionuar.

Jashtë Kuvendit pati protesta të dhunshme, ku për pasojë ndihmë emergjente mjekësorë kishin kërkuar 13 të lënduar, prej tyre, 12 pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një gazetar.

Hashim Thaçi, i cili pasi e kishte provuar në dy mandate pozitën e kryeministrit dhe për një kohë atë të kryediplomatit, nën tensione politike e përplasje të dhunshme jashtë Kuvendit, mër 26 shkurt 2016 ishte zgjedhur president.

Nën tensione politike, me gaz lotsjellës, përplasje të dhunshme në rrugë ndërmjet mbështetësve të opozitës dhe forcave të rendit, e premtja e 26 shkurtit 2016 në Prishtinë megjithatë kishte përfunduar me festë e fishekzjarre në rrugë, për presidentin e ri.

Në raundin e tretë të votimit, me 71 vota për, Thaç ishte zgjedhur president.

Siç edhe parashikohej, zgjedhja e Thaçit president ishte sfidë jo vetëm për mbijetesën e koalicionit të atëhershëm qeverisës, PDK-LDK. Deri atë ditë, partitë politike në pushtet prefesronin që të arrinin me subjektet tjera një marrëveshje për zgjidhjen e krizës në të cilën gjendej vendi, në mënyrë që votimi të mos ndodhte nën gaz lotsjellës e fishkëllima të deputetëve të atëhershëm opozitarë nga LVV, AAK e Nisma, siç ndodhte atë kohë në pothuajse secilën seancë.

Në bazë të marrëveshjes për koalicion ndërmjet dy partive më të mëdha politike në Kosovë atëherë, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, kandidati i përbashkët për këtë post ishte lideri i atëhershëm PDK-së, Hashim Thaçi. Kryeministri i atëhershëm dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i jepte mbështetje publike synimit të Hashim Thaçit. Ngjashëm ishin deklaruar shumica e deputetëve të këtij subjekti politik.

Por, brenda LDK-së kishte disa deputetë që nuk do ta mbështesnin Thaçin për president. Në mesin e tyre ishte edhe Vjosa Osmani, e cila tash synon të njëjtën pozitë.

Pak ditë para seancës për votimin e Thaçit, Osmani fliste për skenarët që mund ta rrëzonin kandidaturën e Thaçit, ditën e votimit të tij në Kuvend.

“Unë jam e bindur që e vetmja mënyrë për ta parandaluar zgjedhjen e Thaçit president është duke e pamundësuar kuorumin prej dy të tretave të votave që kërkohen qysh në momentin kur fillon procedura e zgjedhjes së presidentit. Pra, përveç opozitës, duhen edhe 10 deputetë të LDK-së që atë ditë të mos qëndrojnë në sallë në mënyrë që të pamundësohet zgjedhja e tij në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme”, shprehej Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Në arsyetimin e saj se pse nuk do ta mbështet Thaçin për president, Osmani, mes tjerash, vlerësonte se ai nuk i plotëson dy kritere kryesore, që parashihen me Kushtetutën e Kosovës.

“E para, Thaçi nuk është figurë uniteti, por, përkundrazi, është figurë përçarëse. Dhe së dyti, për shkak se posti i presidentit është edhe shef apo udhëheqës i politikës së jashtme, sipas Kushtetutës, që nënkupton se duhet ta kemi një figurë që e rregullon imazhin e Kosovës në botë, ndërkaq z.Thaçi e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë vetëm të kundërtën”, thoshte Osmani.

Liderët e tri partive të atëhershme opozitare në Kosovë, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma, kishin theksuar e ritheksuar për ditë radhasi qëndrimin e tyre se do ta kundërshtonin zgjedhjen e Thaçit në postin e presidentit.

Krerët e opozitës e ftonin koalicionin qeverisës që të jepnin dorëheqje dhe të mundësonin kështu që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Opozita e atëhershme kundër kandidaturës së Thaçit për president

Megjithatë, zgjedhje e Thaçit s’u ndal. Me t’u zgjedhur në postin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ishte zotuar se do të punojë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Deri te votimi për Thaçin president, seanca ishte e përshkuar me shumë tensione, gaz lotsjellës e ndërhyrje të sigurimit. Opozita vazhdonte të kundërshtonte në shumë mënyra.

Për dallim nga seancat e fundit, të cilat opozita i ndërpriste kryesisht në fillim, përmes hedhjes së gazit lotsjellës në sallë, asaj radhe gazi lotsjellës ishte hedhur pasi që ishin shterur diskutimet.

Gaz lotsjellës në Kuvend

Me veprimet e opozitës, si zakonshëm ato ditë, edhe atë ditë, ishte shprehur i pakënaqur ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

“Më duhet të shpreh sërish frustrimin tim pasi që opozita e ka penguar një proces demokratik në Kuvend”, shprehej Delawie. Ai e kritikonte opozitën, duke u thënë se këto institucione kanë dalë nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës.

Për shkak të sjelljeve të ngjashme të opozitës, 11 deputetë ishin suspenduar, kurse Ilir Deda si deputet i LVV-së atëherë, ishte i vetmi deputet opozitar i cili e kishte ndjekur nga afët procedurën e votimit për president.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, përmes një konference për media kishin theksuar se Hashim Thaçi, i cili sapo ishte zgjedhur president, “nuk mund të jetë president i Republikës”.

“Në këtë proces të sotëm zgjedhor ka pasur shkelje flagrante të demokracisë”, thoshte Visar Ymeri, atëherë kryetar i LVV-së

Në anën tjetër, protesta e organizuar nga tri partitë opozitare jashtë Kuvendit, e cila kishte tubuar mijëra pasues të tyre, kishte përshkallëzuar pak pas orës 17:00, kur Albin Kurti, atëherë deputet i Kuvendit të Kosovës, u kishte bërë thirrje protestuesve që të zhvendoseshin nga sheshi “Skënderbeu” për në sheshin “Adem Jashari”, i cili gjendet edhe më afër Kuvendit të Kosovës, për të mundësuar, siç u thoshte, që “zëri i tyre të dëgjohet” nga ligjvënësit.

“Ne, le ta vazhdojmë protestën tonë në anën tjetër, për shkak se fjalimet tona dhe brohoritjet tona nuk dëgjohen në Kuvend nga kjo anë, por vetëm nga ana tjetër. Ju ftoj që të shkojmë bashkërisht atje”, shprehej Kurti.

Por, vetëm pak kohë pas këtij fjalimi, situata në sheshin “Adem Jashari” kishte përshkallëzuar kur duke brohoritur kundër Qeverisë dhe Thaçit, protestuesit kishin filluar të hidhnin kokteje molotovi, gurë dhe gjësende të forta në drejtim të objektit të Kuvendit të Kosovës.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin intervenuar për shpërndarjen e protestuesve duke hedhur gaz lotsjellës, si dhe duke përdorur vrushkuj të ujit për të shpërndarë protestuesit.

Protesta jashtë Kuvendit, ditën kur Thaçi zgjidhej president

13 të lënduar nga këto protesta kishin kërkuar ndihmë urgjente mjekësore, prej tyre, 12 pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një gazetar.

Mbështetësit e presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës dhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, kanë festuar në kryeqytet me fishkezjarre për disa minuta.

Policia e Kosovës, e cila më pas i kishte bllokuar rrugët që çojnë drejt sheshit “Adem Jashari” dhe sheshit “Skënderbeu” në kryqytet, i kishte shpërndarë protestuesit duke i larguar ata deri në rrugët periferike.

Paraprakisht, afër mesditës, Policia kishte evituar disa përplasje të mundshme ndërmjet pasuesve të opozitës dhe atyre të PDK-së, që kishin dalë në përkrahje të liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.