Pesë probleme që hapën zgjedhjet e dështuara në veri të Kosovës

Zgjedhjet e dështuara të së dielës në veri të Kosovës e kanë vënë qeverinë e Kosovës në pozitë të vështirë, pasi tani mund të akuzohet lehtë si një rrëmbyese e të drejtës së serbëve për përfaqësim politik dhe si një qeveri që nuk respekton standardet e një shoqërie demokratike.

Bashkimi Evropian, OSBE dhe shumë diplomatë perëndimorë, i kanë konsideruar zgjedhjet të dështuara, që nuk prodhojnë asnjë zgjidhje politike. Nga këtu nisin gjithë problemet që prodhojnë këto zgjedhje.

Problemi i parë është krijimi i një standardi zgjedhjesh pa zgjedhës, që nuk e nderon qeverinë e Kosovës. Akuzat kryesore që Kurti i bën Vuciqit është se ai ka bërë zgjedhje pa opozitë, ndërsa zgjedhjet që Albin Kurti bëri në veri janë zgjedhje pa popull.

Ky është një akt i cili krijon një perceptim negativ për qeverinë e Kosovës, si një qeveri që nuk përfill standardet e një shoqërie demokratike dhe ka prirjen të imponojë zgjidhje artificiale.

Problemi i dytë është kurthi ku e futën qeverinë e Kosovës, duke mos i krijuar incidente të dhunshme dhe duke e lejuar ta çojë deri në fund budallallëkun. SHBA e bëri këtë që ta detyrojë Kurtin të firmosë më 2 maj asossacionin, ndërsa Serbia e la Kurtin ta pushtojë Veriun, për të justifikuar gjithë propagandën e saj se shqiptarët po shtypin serbët duke mos i lënë as të vetëqeverisen.

Ndërsa shtetet e Bashkimit Evropian ishin qysh në fillim skeptike ndaj zgjedhjeve dhe kritike pas tyre, duke mos i pranuar haptazi.

Problem i tretë është se Asossacioni i komunave me shumicë serbe tani ka në krye kryetarë shqiptarë dhe është teknikisht i pavlefshëm. Që të krijohet Asossacioni duhet të ribëhen zgjedhjet e pranuara nga serbët. Pra është një tallje dyfish me zgjedhjet e Albin Kurtit.

Më 2 maj Albin Kurti do detyrohet të ulet të bisedojë për Asossacionin nën peshën e një palë zgjedhjesh që dëshmojnë se ai është dhe kundër përfaqësimit politik të serbëve, e jo më të lëshoj për Asossacionin. Kjo do t’i vështirësojë rrugën drejt zgjidhjes së problem të lëshimit të institucioneve të Kosovës prej serbëve.

Problemi i katërt është që zgjedhjet e përkeqësojnë dhe më shumë krizën e lëshimit të insitucioneve nga serbët. Madje duket sikur e noterizojnë atë si të ligjshme.

Këto zgjedhje në vend që të përmirësonin mungesën e përfaqësimit politik të serbëve në pushtetin lokal, po noterizojnë përjashtimin e tyre nga përfaqësimi politik, çka e dëmton rëndë Kosovës në sytë e Perëndimit, pasi Kosova është një shtet i themeluar pikërisht për t’i dhënë fund përjashtimit nga përfaqësimi politik që Miloshevici u bëri shqiptarëve në vitet ‘90.

Problemi i pestë është se zgjedhjet do të përdoren si një arsye për të kompesuar serbët më shumë në të ardhmen, ndërkohë që shtyrja e zgjedhjeve do ta linte përgjegjësinë tek Serbia dhe tek ndikimi i saj real në veri të Kosovës.

Me këto zgjedhje false Albin Kurti ka hyrë në një borxh pa nevojë tek bashkësia ndërkombëtare për të qetësuar dhe mbi kompensuar serbët në bisedime, duke nisur nga krijimi sa më shpejt i Asossacionit.

Albin Kurti u la të dukej i fortë, pikërisht se kështu e kanë më të lehtë ta ulin në tryezën e bisedimeve si agresor dhe jo si viktimë apo i barabartë. Dhe ai ja ka bërë këtë dhuratë Serbisë, e cila tani bën sikur është viktimë e një palë zgjedhjesh, që nuk i njeh askush.

Merreni me mend pastaj çfarë skandali është sikur të gjithë këtë Kurti ta ketë bërë me vetëdije për të justifikuar firmën më 2 maj për krijimin e Asossacionit.