FOTO

Pesë modele flokësh për gratë mbi dyzet vjeçe që i bëjnë të duken më të reja

Nëse dëshironi të dukeni më të reja, një detaj që mund t’ju ndihmojë janë flokët

Model i flokëve është ai që mund t’i fshehë rrudhat, t’i nxjerrë në pah sytë tuaj, madje edhe të “tendosë fytyrën”, domethënë do të krijojë një përshtypje të tillë.

Kemi ndarë pesë modele të cilat i sugjerojnë stilistët për të gjitha damat të cilat dëshirojnë të duken më të reja me ndihmën e flokëve, transmeton Telegrafi.

1. Bob

Flokët e shkurtër praktikisht ju japin një dukje më të sigurt dhe më të re, konsiderojnë ekspertët e flokëve. Bobi modern do të rrumbullakojë fytyrën tuaj dhe vështrimet do t’i orientojë ndaj atributeve tuaja më të mira.

2. Tallazet

Ndërsa flokët e drejtë pa vëllim mund të kontribuojnë në një pamje më të lodhur, flokët e stilizuar me valëzime të buta do t’ju japin një pamje më të relaksuar. Flokët me tallaze janë një trend, i cili, siç duket, grave kurrë nuk do t’u bëhet monoton, veçanërisht kur e dimë që ato shumë lehtë mund t’i bëjnë të duken më të reja.

3. Balluket

Superfuqia e ballukeve është se ato janë zgjidhja më e lehtë për ato gra që duan të fshehin rrudhat e ballit. Natyrisht, balluket me të cilat dëshironi të “hiqni vitet” duhet të priten me kujdes. Prandaj, për ndihmë patjetër drejtohuni te floktari juaj. Një opsion janë balluket që barten drejt, ndërsa opsioni tjetër balluket anash. Lejoni floktarin tuaj t’ju sugjerojë opsionin më të mirë që ju përshtatet.

4. Flokët e gjatë që rrumbullakojnë fytyrën

Nëse jeni ndër ata që nuk duan të heqin dorë nga gjatësia, kjo është krejtësisht në rregull. Lëreni floktarin tuaj të shkurtojë flokët në mënyrë që fijet e flokëve të kornizojnë fytyrën tuaj. Si ta bëni varet nga lloji i flokëve dhe përgjigjen më të mirë për këtë pyetje do ta japë personi që kujdeset për flokët tuaj.

5. Flokët lob

Flokët që prekin lehtë shpatullat, mundësisht të formuara në valëzim të butë, sigurisht që janë një nga ato që arrijnë një pamje më të re. Nëse keni flokë të hollë, lobi është një model flokësh që do t’i japë volum.