KPM

Pesë ankesa në KPM ndaj Klan Kosovës për përmbajtjet e “Big Brother”

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit Ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave, Faruk Rexhaj, gjatë raportimit në mbledhjen e së premtes ka njoftuar se KPM-ja ka pranuar pesë ankesa nga qytetarët për përmbajtjet e emisionit “Big Brother”. Për njërën ankesë nuk është gjetur se ka shkelje nga Klan Kosova derisa për të tjerat është duke u hartuar raport nga KPM-ja.

Rexhaj ka bërë të ditur se fjalosjet dhe promovimi i cigares në “Big Brother” ishin shkaku shkaku i ankesave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Shumë shpejt pritet të sjellim rekomandimet e nevojshme lidhur me këtë ankesë”, ka thënë ai.

Tutje, ai njoftoi se se e kanë raportin e monitorimit dhe i njëjti është duke u trajtuar.

Gjithashtu, ankesa tjetër, Rexhaj tha se ka të bëjë me transmetimin e përmbledhjeve ditore të “Big Brother” dhe se do të njoftohen në kohë me të gjeturat e monitorimit.

“Kemi kryer procedurat edhe sa i përket monitorimit të kësaj ankese dhe sapo të jemi gati do të njoftoheni me kohë me të gjeturat e këtij monitorimi”, ka shtuar ai.

Ndërsa, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka mirëpritur ankesat e qytetarëve për përmbajtjet e programeve të mediave.

“Qytetarët duhet të reagojnë, duhet të na informojnë kur shohin se ka një shkelje të Kodit të Etikës. Në këtë aspekt do të kërkoj si zyrë që të gjitha ankesat të trajtohen në mënyrë të pavarur veç e veç secila”, ka thënë Mehmeti.