Përveç vajzës së prokurorit, në Prokurorinë e Prishtinës u punësua edhe kunata e administratores në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka publikuar njoftimin për përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve për pozitën e Zyrtarit Ligjor në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Për këtë pozitë janë pranuar tetë persona. Edhe këtë herë në këtë konkurs janë shpërfaqur lidhjet familjare.

KlanKosova ka raportuar se në mesin e tetë personave të pranuar është edhe Bleona Qalaj, vazja e Agron Qalajt i cili është prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit.

Si zyrtare ligjore është pranuar edhe Egzona Mehmeti, e cila mësohet se ka lidhje familjare me Lindita Mehmetin, administratore në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Telegrafi ka mësuar se Egzona Mehmeti është nusja e vëllait të Lindita Mehmetit. Mehmeti ka të punësuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës vëllain e saj, Alban Mehmeti.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe vetë Lindita Mehmeti, administratore në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, derisa ka mohuar të ketë pasur ndikim për pranimin e kunatës së saj në pozitën e zyrtares ligjore.

“Po Egzona është kunata ime, është bashkëshortja e vëllait. Unë skam pas asnjë kontakt me komisionin apo dikë tjetër. Vëllai është e vërtetë që punon në PSRK punon mbi 4 vite aty”, tha Mehmeti.

Të tjerët që janë punësuar me këtë konkurs janë: Besnik Barku, Njomzë Halilaj, Dafina Arifi, Arbër Nikolla, Donika Kllokoqi dhe Jeta Ademaj.