Përurohet objekti i ri i ambulancave të reja specialistike në QKUK

Është përuruar sot objekti i ri të ambulancave të reja specialistike në QKUK. Përurimin e bëri kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili shoqërohej nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Do të përmirësohen edhe më shumë shërbimet shëndetësore. Neve na takon të bëjmë edhe më shumë, pasi ende nuk jemi aty ku duhet, ende jemi mbrapa aty ku duhet të ofrojmë shërbimet për qytetarët tanë”, tha me këtë rast Veseli.

Ai ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur për rrahjen e disa aktivistëve në dy degë të PDK-së.

“Për qytetarët tanë tregoni vetëm se pacientët do të kenë përkujdesje më të mirë shëndetësore”, tha Veseli.

Ndërsa i pyetur se a shfrytëzon shërbimet publike, Veseli tregoi që babai i tij është trajtuar për disa javë në Klinikën e Infektives.

“Unë e takova njërin nga mjekët, të cilët kishin pasur punë në Klinikën Infektive, e kam pasur babanë në Infektive dhe kam ardhur çdo dite. Si për vete, si për të tjerët duhet të vijmë te doktorët tanë”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha se ka rritje të nivelit të shërbimeve shëndetësore dhe se me këtë po kthehet besimi i qytetarëve te ky sektor.

Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se synohet përmirësimi i kushteve për profesionistët shëndetësor dhe pacientët.