Komuna e Pejës

Përurohet në Pejë shtatorja e veprimtarit Smajl Hajdaraj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, me familjen Hajdaraj dhe bashkëpunëtorë zbuluan sot në Pejë, shtatoren e veprimtarit të madh, Smajl Hajdaraj.

Abdixhiku tha se sot është një ditë e rëndësishme dhe e veçantë për çdo shqiptar kudo që jeton.

Derisa tha se “jemi bërë bashkë për të nderuar e përuruar shtatoren e një burri të madh shqiptar; një RUGOVISTI shembullor, një patrioti, veprimtari, intelektuali, deputeti, luftëtari të paepur, bashkëpunëtori të ngushtë të Presidentit Rugova, Heroit të Kosovës, Smajl Hajdaraj”.

“Kryetari Abdixhiku po ashtu citoj një pjesë nga testamenti i fundit i Smajl Hajdarajt, i shkruar nga ai rreth një muaj para vrasjes së tij. “Edhe pse fillimi i luftës çlirimtare më gjeti udhëheqës partiak (Kryetar i LDK-së për Rugovë) nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare. Kështu ndodhi edhe me një pjesë të aktivistëve të LDK-së dhe me pjesën më të madhe të anëtarësisë. Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe njëherit bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm”, thotë në fund të letrës, Heroi Smajl Hajdaraj”.

“Smajl Hajdaraj sot u kthye në Pejë. Jo vetëm si nderim i veprës si tij, por si rikujtim për gjithë brezat e ardhshëm për sakrificën e madhe që populli i Kosovës, burrat e gratë më të devotshëm të kombit kanë bërë. Nga sot, qyteti i Pejës, dhe e gjithë Kosova, do të kenë një vend më shumë nderimi për të shkuarën, një vend më shumë rikujtimi për të ardhmen”, përfundoi Abdixhiku.