Në një atmosferë solemne, sot u mbajt ceremonia e zbulimit të pllakës memoriale te vendi i njohur si “Rrasa e Zogut”, në Bjeshkët e Junikut. Ky lapidar ngrihet si një dëshmi e përjetshme dhe e palëkundur, për të kujtuar dhe nderuar sakrificën, si dhe historinë e lavdishme të luftës sonë për liri.
Pikërisht në këtë vend, 17 korrik të vitit 1998, kaluan mbi 1400 ushtarë të UÇK-së nga e gjithë Kosova, të cilët ishin duke sjellë armatim. Pjesë e këtij rrugëtimi ishin edhe shumë heronj të Ushtrisë Çlirimtare, si Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala dhe Rasim Kiqina.
Prijës të këtij rrugëtimi ishin djemtë e Junikut, teksa kolona po kalonte te “Rrasa e Zogut”, armiku kishte përgatitur një pritë, ku u zhvillua një betejë e pabarabartë mes forcave të UÇK-së dhe atyre armike, të cilat përdorën edhe predha ndriçuese. Në këtë betejë të ashpër ranë shumë dëshmorë dhe u plagosën shumë të tjerë. Në ato momente kritike, djemtë e Junikut, duke e njohur mirë terrenin, luajtën një rol heroik në nxjerrjen e të plagosurve dhe në tërheqjen e dëshmorëve të lirisë.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve, të shoqatave dhe qytetarë të shumtë. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, i cili vlerësoi lart rëndësinë e këtij monumenti në ruajtjen e kujtesës historike kombëtare. Të pranishmëve u foli edhe historiani z. Beqir Kiqina, i cili solli një pasqyrë të thellë të historikut të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për të përshëndetur këtë ngjarje, fjalën e mori edhe z. Isuf Hoti, nga shoqata “Shqiponjat e Arta”, i cili theksoi se ky realizim u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe vullnetit të përbashkët.
Në shenjë falënderimi të thellë për përkrahjen dhe jetësimin e këtij projekti madhor, z. Isuf Hoti, në emër të shoqatës “Shqiponjat e Arta”, ndau mirënjohje për mbështetjen e pakursyer institucionale për Kryetarin e Komunës, z. Ruzhdi Shehu, si dhe për Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve.
Ceremonia vazhdoi me zbulimin e pllakës përkujtimore, një moment ky thellësisht emocionues. Këtë akt e kryen së bashku: Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, z. Musli Geci – udhëheqës i autorizuar nga Shtabi i UÇK-se në Drenic, z. Isuf Hoti nga shoqata “Shqiponjat e Arta”, z. Selmon Zogaj – përfaqësues i familjeve të dëshmorëve në Istog, përfaqësuesi i Agjencisë së Memorialeve të Kosovës, si dhe z. Ramadan Ademi, babai i dëshmorit Adem Ramadan Ademi, i cili edhe sot e kësaj dite nuk e di se ku ndodhet varri i djalit të tij.
Lapidari i dëshmorëve te “Rrasa e Zogut” në Bjeshkët e Junikut, do të mbetet një shenjë monumentale që do t’u flasë brezave të ardhshëm se sa e vështirë dhe e lavdishme ishte rruga drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës.







