Dëshmorë

​Përurohen lapidarët e tre dëshmorëve të kombit në Lladroc të Malishevës

Në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, ditën e madhe historike e të kujtesës sonë kombëtare, në Lladrocin e luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Brigada 121 “Ismet Jashari- Kumanova”, me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të kësaj ane dhe institucioneve komunale, u bë përurimi i lapidarëve për tre dëshmorët e kombit Bahti Buqaj, Avni Buqaj dhe Feriz Bibaj.

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, përkujtoi rolin dhe obligimin qytetar për ruajtjen e vlerave kombëtare të UÇK-së, të cilat lartësojnë kombin dhe historinë tonë.

“Në Lladrocin e luftës çlirimtare të UÇK-së, në Lladrocin e lirisë kombëtare, sot shpaloset lapidari i tre dëshmorëve të kombit, dhe me ne e ju flet kujtesa dhe historia më e re e popullit tonë, flasin dëshmorët e atdheut e të Kosovës sonë të pavarur e sovrane, ku ju familjarë të dëshmorëve jeni emblema e së djeshmes, së sotmes dhe e së nesërmes së Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar, andaj ne si qeveri lokale, kemi obligim të përkujdesemi dhe t’i ruajmë vlerat tona kombëtare të UÇK-së, në çdo kohë dhe për çdo brez t’u rikujtojmë këto vlera sublime, vlera që na lartësojnë kombin dhe historinë tonë”, tha ai.

Ndërsa, kreu i NISMA Socialdemokrate Fatmir Limaj, foli për luftën e UÇK-së falë së cilës ne sot gëzojmë lirinë.

“Dhimbjet e vogla të familjarëve të dëshmorëve të sotshëm e të djeshëm ndër breza shqiptarësh, përballë dhimbjeve të mëdha të popullit tonë, tregojnë qëllimin e madh çlirimin me luftë të Kosovës, Sot Serbia pushtuese e di mirë se çka ka humbur në Kosovë, por shqiptarët dhe elitat udhëheqëse politike të së tashmes nuk e dinë se çfarë kanë fituar”, tha Limaj.

Kryetari i SHDL të UÇK-së – Dega në Malishevë, Metush Kryeziu, tha se Lladroci është dëshmuar në luftën për liri.

“Lladroci ka dëshmuar nëpër të gjitha periudhat kohore si me luftëtarë e intelektual se kur atdheu thërret për kushtrim në luftën çlirimtare dhe për liri kombëtare, janë të gatshëm t’i ngjeshin armët dhe penat e përbashkuar deri në fitoren e madhe, kështu ishte edhe në luftën e UÇK të Kosovës- Lladroci i dëshmorëve të atdheut”, tha ai.

Kjo ngjarje u organizua nga veteranët e Lladrocit çlirimtar, ku edhe folën për këto vlera kombëtar nëpër breza, Ramë Bibaj e Jeton S. Zogaj.

Më pas u bë shpalimi i lapidarëve për tre dëshmorët e kombit, si dhe u vendosën lule e po ashtu u bënë nderime edhe te pllaka e Dëshmorit të Kombit- komandanti të UÇK-së, Ibrahim Mazreku.

VIDEO BONUS: “Është Qeveri anti-UÇK” “Ai po i poshtëron”, Jashari e Haradinaj akuza Kurtit në Ditën e Veteranit