Përtej opinioneve bardh e zi, iniciativa për Telekomin duhet sqaruar

Pas shumë deklaratave, interpretimeve dhe keq-interpretimeve të nismës së Ministrisë që drejtoj e konsideroj të arsyeshme të sqaroj si në vijim:
*
Çfarë në fakt nënkupton iniciativë qeveritare për të autorizuar një Komision të Ministrave për inicimin e procedurave të privatizimit të Telekomi të Kosovës?

Pa u lëshuar në shpjegime të thella të dispozitave ligjor për dhe rreth qeverisjes kooperative, organizimit e përgjegjësisë së gjithësecilit institucioni, duke përfshrë Kuvendin e Republikës së Kosovës – shpjegime të cilat laikët e fushës mund edhe t’i mos i kuptojnë – do të elaboroj qëllimin politik të kësaj iniciative si dhe përgjegjësinë e gjithësecilit institucion: Komisionit, Qeverisë e Kuvendit, si dhe deformimeve proceduralo-ligjore që po i behët të njëjtës, me ose pa qellim nga grupe e individ të caktuar.

*
E vërteta e Telekomit ka qene e fshehur deri në shtator 2017. Raportimet paraprake dhe vet kjo iniciative -është e para që shpërfaq të vërteten e gjendjes së mjerë financiare e operative në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje.

Por çfarë në fakt është kjo iniciativë:

a) kjo iniciative njëherë e mirë e nxjerr problemin e Telekomit të Kosovë në sipërfaqe dhe atë bazuar mbi fakte dhe gjendjen aktuale.

b) nuk është konkluzion pro apo kundër privatizimit.

c) nuk është dëshirë individuale apo orientim politik, por reagim racional brenda mandatit, politikave dhe përgjegjësisë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka karshi kësaj dhe gjithsecilës ndërmarrje tjetër publike qendrore.

d) mbi të gjitha është domosdoshmëri.

Por edhe përtej kësaj – t’i kthehemi procesit real për të cilin së fundmi po reagohet krejt pabaze e jo arsyeshëm.

Që në ditën e parë të marrjes së mandatit – i alarmuar nga gjendja e ndërmarrjes kam konsultuar të gjitha palët e mundshme që do të kontribuonin në ‘shpëtimin’ e kësaj ndërmarrje përfshirë; strukturat udhëheqëse, sindikatën, institucione financiare ndërkombëtare dhe palë tjera të interesit.

Të ballafaquar me krizë të thellë financiare, struktura kaotike organizative, raporte gjysmake, marrëveshje komerciale e obligime të pasqaruara dhe kapacitete të limituara – me qëllim final për të rimëkëmbur ndërmarrjen e siguruar transparencë e objektivitet në gjithë këtë proces, kam kërkuar asistencë teknike nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me anë të së cilës do të sqarohen shumë nga paqartësitë e ngritura më lartë.

Por çfarë paraprakisht?

Pas vlerësimit dhe analizave detaje të gjendjes aktuale, kemi identifikuar nevojën për rishikim të strukturës operacionale dhe praktikave brenda Telekomit të Kosovës, me qëllim përfundimtar për të siguruar qëndrueshmëri financiare për ndërmarrjen.

Për këtë qëllim konsiderojmë se ne veçanti duhet të merren masat e ristrukturimit të ndërmarrjes që përfshijnë: a) ristrukturimin e borxhit, ristrukturimin e kapitalit dhe financimin e investimeve b) masat organizative dhe të ristrukturimit të fuqisë punëtore si dhe c) identifikimin e masave të ristrukturimit të biznesit duke konsideruar në veçanti përmisimin e operacioneve aktuale, rritjen/futjen e shërbimeve të reja, vlerësimin dhe përmisimin e teknologjisë si dhe kërkesat për investime urgjente dhe ato në zhvillim për një periudhë 1-3 vjeçare.

Pse BERZH dhe për çfarë jemi pajtuar me BERHZ?

Thjesht – BERZH është institucion kredibil i cili garanton objektivitet dhe krijon mirëbesim në proces. Me BERZH [në parim] jemi dakorduar që në mënyrë të veçante të; analizohet situata aktuale në Telekomin e Kosovës, të përgatitet një studim që identifikon dhe vlerëson opsionet për arritjen e qëndrueshmërisë financiare, transformim dhe ripozicionim me qëllim të rritjes së vlerës së ndërmarrjes. Tutje, do të vlerësohen aspekte të ndryshme duke përfshirë ato financiare, operacionale, ligjore, menaxhimit dhe qeverisjes si dhe simulimi i ndikimeve të mundshme financiare nga marrëveshje aktuale. E mbi të gjitha do të përgatitet rishikimi i Qeverisjes Koorporative.

Pra, cilitdo rekomandim të Komisionit të sapo themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës për privatizim ose jo do i paraprijë procesi i ristrukturimit dhe riorganizimit të tërësishëm të kësaj ndërmarrje. Sot, nuk përjashtohet as nuk paragjykohet asnjë rezultat. Privatizim i plot apo privatizim i pjesshëm. Megjithatë, ajo që paraprakisht është kruciale e që i paraprinë rekomandimit finale të Komisionit; është fillimi dhe përfundimi i procesit të ristrukturimit mbi premisat krejtësisht koorporative, siç u cekë më lartë.

Por edhe përtej kësaj; përveçse i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi e barrën e përgjegjësisë profesionale, etike e kombëtare; kemi një objektiv të përgjithshëm, para gjithsecilit vendim e hap tutje –ky proces do të bazohet ekskluzivisht në parimet e mëposhtme:

1. Vlerësim të drejtë dhe paraprake të vlerës së ndërmarrjes: fillimisht do të bëhet një vlerësim i kujdesshëm mbi vlerën reale të ndërmarrjes, në këtë mënyrë duke siguruar që shpërblehemi në mënyrë adekuatë për shitjen e gjithsecilit aksion të kompanisë.

2. Transparencë: I gjithë ky proces do të bazohet mbi parimin e transparencës duke siguruar rregullsi dhe qartësi maksimale para dhe pas çfarëdo vendimi të mundshëm

3. Konkurrencë: Cilitdo vendim për privatizim do t’i paraprije inkurajimi i konkurrencës gjatë gjithë procesit, kështu duke siguruar zgjedhjen e ofertës më të favorshme të mundshme. Pa konkurrencë nuk do të ketë proces.

4. Partner serioz: Cilido investitorë që do të shprehë interes për ndërmarrjen do të analizohet e ‘hetohet’ për dhe rreth ekspertizës, burimeve financiare dhe angazhimit e profesionalizimit.

5. Shfrytëzimi i strukturave ekzistuese e dialog social: Interesi i të punësuarave është primar dhe do të ruhet. Aty ku është e mundur do të përdoren ekskluzivisht profesionistët aktuale – ristrukturimi paraprakisht është në funksion të ri-orientimit të kapaciteteve humane dhe garantimit që gjithsecili është i vlefshëm dhe i paprekshëm.

E si përfundon ky proces – Komision, Qeveri e Kuvend?

Ndërmarrja Publike ‘Telekomi i Kosovës’ është pronë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qeveria ushtron ne mënyra ekskluzive të drejtat e aksionarit në ndërmarrjet publike dhe menaxhon me të njëjtat. Komiteti i sapo themeluar do të ofroj rekomandim për Qeverinë e Kosovës për privatizim dhe fituesin, të cilin rekomandim do të aprovoj ose jo – aprovim ky që kërkon vendim përfundimtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pra, pronësia e qytetareve të Kosovës mund të ‘tjetërsohet’ vetëm nga të zgjedhurit e tyre, pra nga Kuvendi në mbledhje plenare. Janë deputet të cilët do të vendosin për privatizim. Vendimi është i deputetëve.

Për fund:

Nuk mund të rrihet duarkryq kur një kompani publike është duke falimentuar dhe as pse disa mund të kenë pikëpamje politiko-ekonomike të ndryshme. Futja e kapitalit privat në Telekomin e Kosovës është e pa- alternativë. Ky kapital do të ketë ndikimi shumëdimensional në: a) rritjen e aftësisë konkurruese, b) transferimi e dijes dhe inovacionit teknologjik c) optimalizimit të kostos së operimit, si dhe d) diversifikimin të produkteve të shërbimit.