Më 20 prill, Italia shënoi një rezultat të rëndësishëm për herë të parë që kur nisi epidemia: Numri i personave aktualisht pozitivë shënoi rënie. Edhe pse rënia është vetëm me 20, sërish është tregues i rëndësishëm.
Por pyetja që lind është se përse numri i viktimave në Itali vazhdon të jetë i lartë dhe kurba e të vdekurve ulet kaq ngadalë?
Gazeta Corriere della Sera shkruan se ka disa hipoteza, pavarësisht se për momentin asgjë nuk mund të thuhet me siguri.
E para është se pavarësisht nga izolimi total, mes anëtarëve të familjeve që janë pozitivë, vazhdon përhapja e virusit. Kjo përhapje vazhdon edhe në spitale, por edhe në vendet e punës ku ka ndërveprime sociale ose kur dalin në pazar.
E dyta, numri i vdekjeve në çdo rast nuk është fotografia e plotë e situatës aktuale. Kjo për shkak se njerëzit që vdesin sot janë ata që janë infektuar mesatarisht 23 ditë më parë. Testimet e infeksioneve të asaj kohe ishin më të kufizuara se sot.
E treta, sepse ka vështirësi në mbledhjen e të dhënave. Këto vështirësi janë më të mëdha kur sistemi shëndetësor është në vështirësi për shkak të pandemisë. Të dhënat nga Mbrojtja Civile tregojnë vdekjet që kanë raportuar brenda 24 orësh të gjitha rajonet, por jo të gjitha mbërrijnë në kohën e duhur.
E katërta, ekziston fakti që njerëzit që vdesin në shtëpi, në hotele apo qendra të kujdesit sanitar, pothuajse kurrë nuk i nënshtrohen një tamponi. Kjo është arsyeja themelore përse duhet të organizohet më mirë mbledhja e të dhënave për gjithçka ndodh. Ose përndryshe mund ta gjejmë veten në mes të një shpërthimi tjetër.







