Përse Donald Trump kërkon të blejë Groenlandën?

Lajm i keq Danimarkë, presidenti Donald Trump nuk do të vijë për vizitë në shtator, siç ishte planifikuar.

Pse? Kryeministrja Mette Frederiksen ka thënë se ajo nuk do ia shesë atij Groenlandën- një ishull gjigand.

“Në thelb është një marrëveshje e madhe e pasurive të patundshme,” tha ai të dielën, por Danimarka nuk po lëkundet.

Zonja Frederiksen tha se sugjerimi është absurd, kurse një zëdhënëse e Partisë Popullore Daneze tha se ‘kjo ishte prova përfundimtare se ai është çmendur’.

Por, përse Donald Trump kërkon të blejë një territor që i përket një vendi tjetër?

Naftë. Shumë naftë dhe gaz

Groenlanda është pjesë e Arktikut dhe vlerësohet se ka 13 përqind të rezervave të pazbuluara të naftës në botë dhe 30 përqind e gazit të pazbuluar gjendet nën Arktik.

Dhe presidenti Trump është një tifoz i karburanteve të fosileve.

Në mars të viit 2017, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për çdo pjesë në SHBA, që të lehtësojnë rregullat mbi karburantet fosile, në mënyrë që të ketë sa më shumë shpime për naftë e gaz në Amerikë.

Ai nuk beson se ndryshimet klimatike janë një kërcënim dhe e ka tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit në vitin 2017.

Po ashtu mendohet se ka burime të mëdha mineralesh nëntokësore në Groenlandë, mes tyre zink, bakër, hekur, etj.

Miliona kilometra pasuri të paluajtshme

Donald Trump i dashuron pronat dhe ndërtimet- në Groenlandë ka pafund hapësirë sepse është vendi më pak i dendur me popullsi në botë.

Oh, por ka edhe një pengesë në rast se do ketë ndonjë plan për një Kullë Trump në Groenlandë- 75 përqind e territorit është e mbuluar me akull të përhershëm.

Kjo do e bënte ndërtimin të vështirë.

Të kompletosh ujdinë

Natyrisht, Groenlanda është në pronësi të Danimarkës dhe pjesë e Europës, por është më afër Amerikës së Veriut dhe ka pasur sugjerime që SHBA mund ta blinte atë që në vitet 1860.

Presidenti amerikan, Harry Truman i ofroi Danimarkës 100 milionë dollarë për Groenlandën në vitin 1946. Madje pati diskutime për shkëmbimin e pjesëve të Alaskës për disa copa të Groenlandës.

Kur u pyet nëse ekziston mundësia e shkëmbimit të territoreve amerikane me Danimarkën, Trump tha se “shumë gjëra mund të bëhen”.

PROFIL

Groenlanda është ishulli më i madh në botë dhe është një territor autonom i varur nga Danimarka, me vetëqeverisje të kufizuar dhe me parlamentin e saj. Danimarka kontribuon me dy të tretën tek buxheti i Groenlandës. Pjesa tjetër vjen nga peshkimi. Rezervat e mundshme minerale, të gazit dhe të naftës, kanë tërhequr jo pak firma. Groenlanda gëzon dritë të përhershme për çdo dy muaj në vit, por mbi 80 përqind e ishullit është e mbuluar me një shtresë akulli që shkon deri në 4 kilometra e trashë. Ngrohja globale po bën që akulli të shkrijë më shpejt, duke rritur aksesin në burimet minerale të Groenlandës. SHBA ka kohë që e sheh këtë ishull si të rëndësishëm nga pikëpamja strategjike dhe ka ngritur një bazë radari në Thule në fillim të Luftës së Ftohtë. Edhe Kina synon të ‘shtrijë duart’ mbi ishull, por përpjekjet e saj janë zmbrapsur disa herë nga Danimarka, e nxitur nga SHBA. Lufta për Arktikun po bëhet e ashpër, pasi edhe Rusia ka riaktivizuar bazat e saj ushtarake në këtë zonë të akullt. Popullsia e ishullit është 57 mijë banorë dhe banorët vuajnë prej kohësh problemet sociale- midis tyre ndikimin e alkoolizmit dhe HIV/AIDS.

loading…