Përse do t’i jetë mirënjohëse Shqipëria, ambasadores Yuri Kim?

Nga Mero Bazo

Sali Berisha po vazhdon përpjekjet e tij spekulative për të identifikuar problemin e tij si person “non grata” për minim të demokracisë dhe korrupsion madhor familjarisht nga SHBA, si një çështje të raporteve të tij me ambasadoren aktuale të SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Përpjekja e tij për t’u dukur si i lehtësuar që ambasadorja Yuri Kim përfundoi mandatin e saj, është një përpjekje qesharake për të gënjyer edhe disa muaj mbështetësit e tij, që tani kanë qejf vetëm që të gënjehen, për të mos u përballur me problemin e tyre të përjetshëm, atë të pasjes së kryetarit të tyre si person “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. 

Për ta bërë dhe më të besueshëm mashtrimin e tij, ai rrahu gjoksin se ka pas në dorë të bënte dhe protesta të mëdha paqësore kundër Yuri Kim, por nuk e ka bërë këtë nga respekti për SHBA dhe lufta në Ukrainë.

Së pari, duhet të theksojmë se Sali Berisha nuk është shpallur “non grata” prej ambasadores Yuri Kim, por nga një proces disa vjeçar i qeverisë amerikane, me dosje që datojnë nga viti 1994, për gjithë veprimtarinë e tij dhe familjes së tij, si një familje e korruptuar dhe si një politikan që ka minuar demokracinë në Shqipëri.

Administrata vendimtare që ka vulosur dosjen e tij ka qenë ajo e presidentit Trump dhe në të kane kontribuar gjithë administratat amerikane. 

Ambasaodrja Yuri Kim është diplomatja me më pak merita në shpalljen e Sali Berishës “non grata” dhe me siguri ndjehet e përkëdhelur që Berisha ja vë asaj gjithë meritat, që ndoshta do të donte t’i kishte.

Së dyti, paralajmërimet e Sali Berishës për protesta denigruese kundër ambasadores, në të vërtetë kanë ndodhur, jo vetëm ndaj kësaj ambasadoreje, por kundër disa prej ambasadorëve amerikanë në Shqipëri. Sali Berisha ka organizuar protesta agresive kundër ambasadores Mariza Lino në vitin 1997, duke djegur flamurin amerikan para PD, ndërkohë që ajo shkoi ta takonte atë në zyrën e tij. 

Më pas Sali Berisha ka organizuar në vjeshtën e vitit 2000 protesta të përditshme “kundër guvernatorit amerikan në Shqipëri Jozef Limpreht”, ish- ambasador i SHBA në atë kohë në Tiranë, për shkak se e fajësonte atë si bashkëpunëtor në arrestimin e tij nga Ilir Meta, për ngjarjet e vitit 2000 në Tropojë, që pasuan djegien e komisariatit dhe dhunën mbi policinë atje.

Një sërë reagimesh denigruese ka pasur publikisht ndaj ambasadorit të SHBA, Uithers, për shkak të qëndrimeve të tij publike për hetimin e masakrës së Gërdecit ku ishte i përfshirë djali i tij, dhe më pas sulme publike ndaj ambasadorit Arvizu dhe ambasadorit Donald Lu.

Yuri Kim është e fundmja e ambasadorëve amerikanë të sulmuar nga Sali Berisha në Tiranë, me një gjuhë të shfrenuar dhe histeri kolektive, që turpëron Partinë Demokratike dhe mbështetësit e saj, si forca e parë antikomuniste e Shqipërisë. 

Në historinë e vendeve ish- komuniste, rasti i Partisë Demokratike në Shqipëri, është rasti i vetëm ku një parti antikomuniste është në betejë 30- vjeçare me gjithë diplomatët amerikanë në vend, për shkak të halleve të një njeriu, që është uzurpatori i saj si kryetar. Dhe ky është rasti i Sali Berishës.

Së treti, dhe që është më e rëndësishmja sa i përket rolit të ambasadores së SHBA në Tiranë, nuk ka asnjë rast të vetëm që SHBA, qeveria apo presidenti i saj, të jenë distancuar nga veprimtaria e ambasadores në Tiranë. Përkundrazi, ata kanë qenë mbështetës të fortë të saj në një periudhë dramatike për SHBA në Shqipëri, ku për herë të parë gjatë tridhjetë viteve, anti-amerikanizmi i frymëzuar nga Sali Berisha ndryshoi imazhin e Shqipërisë, si vend me një celulë anti-amerikane.

SHBA nuk e ka problem anti-amerikanizmin në çdo vend të botës ku është e pranishme. Madje ka vende që e kanë ideologji të qenit anti-amerikanë. Shqipëria bënte përjashtim, se ishte vendi ndoshta më pro-amerikan në botë, për shkak të historisë së saj me SHBA. 

Ambasadorja Yuri Kim pati fatin të përballet me këtë valë anti-amerikane frymëzuar nga Sali Berisha, jo për shkak të saj, por për shkak të qartësisë që ka politika amerikane për të identifikuar faktorët anti-perëndimorë në vendet ku ajo ka influencë dhe lidhjet kriminale të këtyre personave që rrezikojnë rendin demokratik dhe standardet e një vendi të lirë.

Sali Berisha është përdhunuesi publik i gjithë ambasadorëve amerikanë në Shqipëri këto 30 vjet, dhe njeriu që ka zhvilluar një betejë të pashembullt, të pandershme, të pafytyrë dhe të papranueshme nga shqiptarët, me ambasadoren Yuri Kim.

Për këtë arsye ambasadorja Yuri Kim, është diplomatja me më shumë merita në historinë e diplomatëve amerikanë në Shqipëri, pasi asaj i ra të ndeshej me një front anti-amerikan në vendin ku çdo amerikan e quante shtëpi të tij. Dhe kjo, falë Sali Berishës.

Qartësia dhe vendimmarrja e ambasadores amerikane për të përballuar këtë agresion dhe për të mbrojtur vlerat amerikane në Shqipëri, nuk shikohet vetëm në qëndrimet e saj kundër Sali Berishës, por në identifikimin e çdo faktori tjetër të dizajnuar si “non grata” në Shqipëri, përfshi dhe bashkëpunimin e tyre politik në të dy krahët kundër SHBA. 

Por për fat të keq Sali Berisha nuk është as në nivelin e personave të tjerë të dizajnuar “non grata” si ai, që kanë parë punët e tyre dhe kanë pranuar vendimin e SHBA, duke u tërhequr formalisht nga politika. Ai vazhdon përpjekjet për të mashtruar demokratët, për t’i mbajtur peng si talibanët kundër SHBA, duke gjetur lloj lloj arsyetimesh, herë Lulzim Bashën, herë ambasadoren Yuri Kim, herë Sorosin, e herë ambasadorin britanik, që po ashtu e quan përgjegjës pse e ka futur në listën e zezë, qeveria e djathtë e Britanisë së Madhe.

Kjo është një lojë banale, që mund të vazhdojë të mashtrojë dhe disa muaj e ndoshta një apo dy vjet ata që i shkojnë nga pas, por jo shqiptarët dhe kurrsesi SHBA dhe Britaninë e Madhe, që e dinë se çfarë bëjnë në Shqipëri.

Sali Berisha dhe familja e tij janë të dënuar të përjetshëm për korrupsion dhe minim të demokracisë në Shqipëri. Ata nuk kanë asnjë perspektivë politike dhe aq më pak shtetërore.

Merita e vetme që ka ambasadorja Yuri Kim në këtë histori, është që ka ditur t’i qëndroj besnike vendimeve të qeverisë saj dhe të përpiqet t’ua bëjë të qartë shqiptarëve se SHBA nuk e identifikon Sali Berishën, as me Shqipërinë dhe as me PD. Ajo ka qenë dhe është po aq e rrepte me qeverinë socialiste dhe personat nga krahu i saj, të shpallur në të njëjtën listë. 

Sali Berisha e di më mirë se kushdo tjetër këtë gjë. E di mirë se çfarë ka bërë dhe çfarë ka në dosjen e tij që nga vitii 1994 e në vazhdim. Ai e di se ka hyrë në listën e zezë të SHBA dhe Britanisë së Madhe si një politikan që ka promovuar vlerat anti-perëndimore në Shqipëri. Ai e di mirë se askush nga pasardhësit e Yuri Kim nuk do ta takojë dhe nuk do ta rehabilitojë. 

Por si njeri i dëshpëruar, ai nuk ka më skrupuj që të mendojë se çfarë do të thotë pas dy vitesh, apo pas një viti, ashtu siç nuk ka sot skrupull të thotë çfarë u bë me gjyqin në Francë kundër sekretarit Blinken.

Ai është një mashtrues ordiner, që ka luftë me kohën e pamjaftueshme që i ka mbetur edhe fizikisht të rregullojë historinë e tij. Dhe këtë përpiqet ta kompensojë me shpifje dhe fyerje ndaj ambasadorëve të SHBA në Tiranë, që kanë tridhjetë vjet që e listojnë si minues të demokracisë dhe si politikan i korruptuar.

Yuri Kim mund të ik nga Shqipëria e qetë, pasi i mjaftojnë për dekoratë tërbimi dhe fyerjet e Sali Berishës ndaj saj dhe SHBA. Kjo është e vetmja provë që ajo e ka përfaqësuar me dinjitet SHBA në Shqipëri, ndërsa Sali Berisha është e vetmja provë, që fronti anti-amerikan është në krizë në Shqipëri, pasi përfaqësohet nga dikush që ka qëllim si ta mbyllë jetën duke gjetur çdo ditë nga një gënjeshtër për krimet e tij. 

Shqiptarët do ta mbajnë mend ambasadoren Yuri Kim, jo si njeriun që futi Sali Berishën në listën e zezë, pasi aty ka hyrë vetë me veprimtarinë gati 30 vjeçare kundër SHBA, por si ambasadoren që duke ruajtur integritetin e saj dhe qeverisë së saj, e bëri Sali Berishën qesharak në pleqëri. 

Nderi madh që duhet t’ia quajmë asaj, është që armikun më të egër të SHBA, e bëri njeri qesharak, çka i bën shqiptarët të mos identifikohen me të, përveç çmendinës së tij. Dhe ky është një nder që ja ka bërë në radhë të parë Shqipërisë, të cilës do t’i mbetej njollë nëse një politikan normal do të udhëhiqte frontin anti-amerikan të Shqipërisë. Pastaj dhe SHBA.