Përpos naftës e biletave, pritet të rritet edhe çmimi i produkteve vendore

Pas rritjes së çmimit të naftës, që ndikoi në rritjen e çmimit të biletave të autobusëve, pritet të rritet edhe çmimi i produkteve që shiten në vend.

Kështu ka bërë të ditur Astrit Panxha, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, i cili tha se kjo varet nga rritja zinxhirore e çmimeve në ekonominë globale, e jo vetëm nga prodhuesit vendor.

“Kjo ka ndodhë sepse kemi çrregullim të ekonomisë për shkak të pandemisë, ngritje të kostos së transportit nga Kina, nga SHBA-ja, nga destinacionet ku shumë produkte të lëndës së parë prodhohen dhe në fund prodhimi final gjithmonë do të përballet me ngritje të çmimit sepse s’mund të jetë profitabile shitja e një produkti nëse e shet me humbje. Do të ketë probleme sepse është parashikuar edhe rritja e çmimeve të energjisë elektrike”, ka thënë Panxha.

Tutje, ai u shpreh i befasuar edhe me mungesën e të punësuarve tek prodhuesit vendor, e cila sipas tij nuk ka logjikë duke pasur parasysh shifrat e papunësisë.

“Ka mungesë të fuqisë punëtore. Është vështirë të gjinden punëtorë për prodhuesit vendorë. S’ka logjikë të kemi mungesë të punëtorëve sa ka shifra të papunësisë”, ka deklaruar ai.