Gjykata Kushtetuese

Përplasje mes Thaçit e Kurtit derisa po afrohet afati për vendimin e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese është afër verdiktit për mandatarin. Presidenti Hashim Thaçi kërkon respektimin e verdiktit, e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, këmbëngul në kthimin te verdikti i popullit.

Më 30 prill, presidenti Thaçi e ka nxjerrë një Dekret, nëpërmjet të cilit i propozuari i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, është caktuar mandatar për formimin e Qeverisë së re. Të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka kontestuar në Kushtetuese. E të nesërmen Gjykata e ka pezulluar Dekretin, masë që vlen deri më 29 maj, datë kjo më e largëta kur pritet të nxirret verdikti, raporton KOHA.

Një burim i gazetës ka thënë se gjyqtarët mund të vendosin të martën për këtë rast, ndërsa deri të premten edhe ta përgatisin e publikojnë Aktgjykimin e plotë. E gazeta ka raportuar javën e shkuar se 7 nga 9 gjyqtarët e Kushtetueses janë në anën e Thaçit. Ata do të “caktojnë” një afat 15-ditësh, brenda të cilit partia që presidenti i drejtohet me kërkesën për ta dhënë mandatarin duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër ose duhet shprehimisht të heqë dorë nga kjo e drejtë. Njohësit e Kushtetutës kanë theksuar se me këtë, gjykata do të dilte përtej mandatit të saj, meqë caktimi i afateve nuk përbën interpretim, por shkrim të Kushtetutës.

Presidenti Thaçi ka bërë thirrje të hënën që verdikti i Kushtetueses të respektohet nga të gjithë.

“Unë i kam respektuar gjithmonë, edhe kur më kanë pëlqyer edhe kur nuk më kanë pëlqyer fare. Por, sido që të jetë, askush nuk është mbi Kushtetutën, mbi ligjet. Unë si President i vendit, do të vazhdoj të respektoj gjithë mandatin tim që del nga Kushtetuta e Kosovës, në veçanti me garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve të vendit, duke përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese, sepse mandati im nuk buron nga Gjykata Kushtetuese, por nga Kushtetuta”, ka thënë Thaçi. “Ftesa ime është për të gjithë respektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që do të dalë”.

Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, presidenti Thaçi është thirrur në Nenin 95 të Kushtetutës, për t’i dhënë zgjidhje problemit. Ndryshe nga dy mocionet e mëhershme, pas të cilave qytetarët u janë drejtuar kutive të votimit, pas këtij kundër Qeverisë Kurti kreu i shtetit ka thënë se duhen evituar zgjedhjet. Presidenti i ka kërkuar kreut të LVV-së një mandatar të ri për kryeministër dhe paralelisht kësaj, ka zhvilluar konsulta me subjekte të tjera politike.