Përplasje, emocione e lot – mbyllet gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Pas më shumë se një viti e gjysmë, në Hagë është zhvilluar seanca e fundit në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Palët kanë dhënë fjalët përfundimtare, përderisa vendimi final nga trupi gjykues pritet së shpejti. Megjithatë, data se kur mund të shpallet ky vendim nuk u zyrtarizua. +

Gazeta Nacionale ka sjell këtë përmbledhje të seancës së sotme që u shoqërua me përplasje, por edhe emocione për Gucatin e Haradinajn.

Kur avokati i tij Toby Cadman i përmendi në sallën e gjykatës problemet shëndetësore me të cilat po ballafaqohet gruaja e Nasim Haradinajt, ky i fundit nuk arriti t’i mbante lotët. Emocionet iu shtuan kur mbrojtësi i tij njoftoi edhe për problemet e tjera shëndetësore që ka vëllau i Haradinajt. E në gjithë këtë kohë, vetë nënkryetari i Organizatës së Veteranëve ishte në paraburgim.

Në këtë frymë megjithatë nuk ishte e gjithë seanca e fundit që u zhvillua në Dhomat e Specializuara të Hagës. Aty pati akuza e përplasje ndërmjet Haradinajt e prokurorisë, pasi këta të fundit kërkuan dënim sa më të ashpër për dy krerët e OVL-UÇK-së.

Çfarë thanë Gucati dhe Haradinaj?

Deklarata e prokurores Valeria Bolici dy ditë më parë e cila i quajti Gucatin e Haradinajn kriminelë, e bëri këtë të fundit ta shfrytëzojë të drejtën e fjalës përfundimtare. Këtë, Haradinaj tha se nuk donte ta bënte, megjithatë ai u shpreh se ndërroi mendje pasi donte t’ia kthente një përgjigje Bolicit. Përgjigje që doli të ishte mjaft e ashpër.

Pata vendosur të mos flas, por prokurorja Bolici kur na cilësoi paturpësisht si kriminelë me një harbutëri të paparë, më ngjasoi me gjykatat më diktatoriale. Ajo na ofendoi, dhe trupi gjykues as nuk reagoi për këtë. Ky shembull i kësaj prokurorie surrogate, tregon se Bolici e zemëruar nga mungesa e fakteve, nisi me akuza personale”, u shpreh Haradinaj.

Por, ashpërsinë e tij, Haradinaj e vazhdoi edhe më shumë me prokurorin e specializuar Jack Smith.

“Thashë mos po i mbet hatri Jack Smithit. Ai më tha se unë kam pasur interes personal për dosje. Z.Smith nëse e kisha shikuar interesin personal, nuk do të isha as në luftë dhe as këtu. Ai kërkoi dënim sa më të ashpër për fjalën e lirë, e ky është mendim i prokurorive diktatoriale. Kjo Prokurori siç tha z.Pache, po dëshiron që heronjtë tanë kombëtar të na i akuzon për krime të luftës”, u shpreh Haradinaj.

Më i butë në qëndrimet e tij ndaj Prokurorisë ishte Hysni Gucati. Ai tha se asnjëherë nuk do të rresht së punuari për të mirën e Kosovës. Në këmbë u ngrit, kur foli për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe akuzat se është ndërmarrje e përbashkët kriminale.

“Jam shumë krenar që jam qytetar i kosovës dhe jam krenar që jam shqiptar. Shteti i Kosovës kurrë s’ka qenë agresor ndaj asnjë vendi. Ne duhet ta kemi të drejtën ta mbrojmë veten ndaj atyre që e kundërshtojnë të drejtën tone, të jetojmë në paqe. Çdo sygjerim që është bërë ndaj UÇK-së që është organizatë kriminale është absurd, i pavërtetë dhe fyerje për dëshmorët dhe të rënët për liri, për ata që kanë vdekur për Kosovën. UÇK ka qenë, është, dhe do të jetë simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Hysni Gucati.

Avokatët kërkojnë lirimin

Lirim nga akuzat për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, kanë kërkuar avokatët e dy krerëve të OVL-UÇK-së. Sipas tyre, Prokuroria nuk e ka asnjë provë se Gucati apo Haradinaj, e kanë kërcënuar apo frikësuar ndonjë dëshmitarë.

Jonathan Rees, avokat i Hysni Gucatit kundërshtoi ashpër pretendimin e prokurorisë për dënim me 6 vjet burgim për klientin e tij.

“Së pari gjykata e ka vënë re bashkëpunimin e zotit Gucati më gjykatën gjatë gjithë procesit gjyqësor por edhe gjithë kohës që ka qenë i ndaluar. Ju keni prova që kanë të bëjnë me karakterin e zotit Gucati, janë të shumta që demonstrojnë që kemi të bëjmë me një individ që i ka dedikuar jetën e vet të vënit në shërbim të të tjerëve. Është njeri i sinqertë lidhur me detyrat e vet, i sinqertë dhe ndershëm me gruan e fëmijët, e fëmijët në shkollën ku ka punuar, i dedikuar për komunitetin ku ka jetuar për vite dhe për shokët me të cilët ka luftuar”, ka thënë Rees.

Ngjashëm me kolegun e tij, u deklaruar edhe Toby Cadman, avokati i Nasim Haradinajt.

Dënimi me burg është disproporcional. Nxjerrja e materialeve është bërë në interes publik, dhe kjo duhet të merret si masë lehtësuese. I vetmi qëllim ishte që të sillej në vëmendjen e publikut fakti që ZPS-ja po bashkëpunon me zyrtarët serbë. Nëse ky trup gjykues jep vendim fajësues, atëherë dënimi me burg duhet të jetë sa më i shkurtër, duke ditur edhe kohën që e kanë kaluar në paraburgim. Veprimet e Haradinajt nuk e kanë ndaluar ZPS-në ta kryejë punën e vetë. Edhe dënimi me 20 mijë euro gjobë është i lartë, duke ditur situatën në Kosovë”, deklaroi Toby Cadman.

Shfaqet edhe Kryeprokurori i Speciales

Pas një kohe të gjatë në skenë ka dalë edhe prokurori i specializuar, Jack Smith. Ky i fundit tha se qëllimet e Gucatit e Haradinajt kanë qenë të frikësojnë dëshmitarët, andaj edhe kërkoi dënim sa më të ashpër.

“Ata nuk janë penduar, kanë shkuar më tej dhe kanë thënë që do ta bëjnë këtë krim dhe ngjashëm, edhe në të ardhmen. Po të mos mjaftonte kjo, është cështje shumë e rralLë që të keni përpara që janë dy individë që janë fanatikë për të shkuarën e tyre penale dhe e kanë thënë qartë atë dhe besoj se do të duhej që këtyre t’iu jepej dënimi me burg më i madh në mënyrë që të mos ekzistojë asnjë shpresë që të shkatërrohet kjo Gjykatë. Të akuzuarit kanë tentuar ta bllokojnë dhe shkatërrojnë këtë gjykatë”, u shpreh Smith.

Smith madje mori kompetencë të flas edhe për popullin e Kosovës. Tha se qytetarët këtu, çdo ditë e më shumë po e rrisin besimin në Dhomat e Specializuara. Por që sipas tij, dënimi në këtë rast, duhet të shërbejë si mësim për të gjithë të tjerët.

“Gjykata duhet të mendojë jo vetëm për dënimin, por edhe mesazhin për të tjerët. Të akuzuarit janë pjesë e një grupi në Kosovë të cilët janë të përkushtuar që kjo gjykatë të dështojë. Ky grup zvogëlohet nga dita në ditë, ndërkohë që çështjet tona ecin përpara dhe e vërteta zbulohet. Do të ketë persona si të akuzuarit që nuk do të ç’binden, që kanë interes personal, që duan ta shtrëngojnë narrativën e rrejshme se kinse askush në UÇK nuk ka bërë krime”, deklaroi Jack Smith.

Dënim ka kërkuar edhe vartësi i Smith, prokurori i rastit James Pache. Ai tha se burgu, është dënimi i vetëm meritor në këtë rast.

Së shpejti vendimi përfundimtar

Vendimi për dënim ose lirim ndaj Gucatit e Haradinajt, pritet së shpejti. Megjithatë, kryegjyqtari nuk dha ndonjë datë.

Nuk mund të japim afat për momentin. Ne do të komunikojmë me të gjithë, dhe pastaj do ta caktojmë datën për shpalljen e vendimit”, deklaroi Charles Smith.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.