Përplasja Basha-Berisha: Ka vetëm një dosje, Non Grata jote nga SHBA

Lulzim Basha i përgjigjet ish-kryeministrit Sali Berisha, pas akuzave të këtij të fundit se kreu i PD rezulton i shpallur anëtar i organizatës kriminale pas hetimeve për dosjen “Toyota Yaris” në Belgjikë. Në reagimin e tij në rrjete sociale Basha shkruan se ka vetëm një dosje dhe ajo është shpallja e tij “Non Grata” nga SHBA.

‘Trillimet e shpifjet nuk e zgjidhin dot hallin e Sali Berishës. Ka vetëm një dosje, ka vetëm një çështje dhe ajo është çështja NON GRATA nga SHBA. Është kjo çështje që e detyron Sali Berishën të bjerë kaq poshtë me shpresën se do ta shndërrojë PD-në në mburojë të interesave personale. Nuk ka gjë më të ulët se të përdorësh demokratët dhe ndjeshmëritë e tyre si mish për top për hallin tënd personal”, thotë Basha.

Nga Foltorja e Devollit Berisha deklaroi se sipas tij Bashës do t’i dalin dosje të tjera. Po ashtu ai u shpreh, “projekti i Emirateve i Amarit në Durrës nuk do të zhvillohet kurrë sa të jetë PD forca më e fuqishme politike e vendit”.

“Në qoftë se në Shqipëri është vendosur narkoshteti, për fat kë keq, kreu i opozitës me dosjet e tij të krimit është aksioner i këtij shteti. Në foltore të ndryshme kam denoncuar dhe i kam kërkuar para jush të japë shpjegimet për “Toyota Yaris”, të japë shpjegimet për dosjen “Muzin”. Sikundër e garantoj se me radhë do të dalin dosje të tjera dhe e garantoj këtu se projekti i Emirateve i Amarit në Durrës nuk do të zhvillohet kurrë sa të jetë PD forca më e fuqishme politike e vendit. Por të ndalemi për një moment! Ish-ministri ynë i Brendshëm deklaron një ditë prej ditësh në parlament se ditën e shtunë do vijnë me një seri Toyota-sh 5 mln euro dhe do i presë politikisht Taulant Balla. Deklaratë e cila në pamje të parë të dukej si fantazi. E pyes i them, “Zotëri, a më thua pak si e bëre këtë deklaratë”. Tha “është e sigurtë që do vijnë”. Thashë “kur është e sigurt, si mund të dekonspirosh ti operacionin sepse ata që vijnë, ata ndiqen dhe ti faktikisht futesh në vorbullën e kësaj organizate kriminale me deklaratën që bëre”. Kjo do të thotë paralajmërim i atyre që mos hyjnë në Shqipëri, paralajmërim i atyre që po e prisnin që mos dilni me e prit”, deklaroi Berisha.