Përplasen dy avionë në Itali, pilotët humbin jetën

2 pilotë të forcave ajrore italiane kanë humbur jetën pasi avionët ushtarakë të cilët ata drejtonin u përplasën me njëri-tjetrin. Mësohet se 2 avionët U-208 u rrëzuan afër aeroporit ushtarak Guidonia, ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar të tjerë.

Njëri prej avionëve u rrëzua sipër një makine që ndodhej në një rrugë të banueshme, ndërsa tjetri në fushë. Pas përplasjes, makina u përfshi nga flakët.

“Piloti bëri diçka për të shmangur ndërtesat, i shmangu. Ai bëri një manovër të rëndësishme sepse ai mund të kishte marrë ndërtesat”, kanë treguar dëshmitarët okularë për aksidentin mes dy avionëve që i kushtoi jetën nënkolonelit Giuseppe Cipriano dhe majorit Marco Maneghello.

Përplasja mes 2 avionëve ndodhi në fazën para uljes dhe dy avionët ishin të angazhuar në një aktivitet stërvitor që përfshinte gjithsej katër avionë. Hipoteza për momentin është përplasja në fluturim që përcaktoi rrëzimin të dy avionëve por hetimi do të konstatojë shkaqet.

Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet e saj për familjet dhe kolegët e pilotëve.