Përpjekje për të zbardhur misterin: Përse Covid-19 vret të rinjtë?!

Covid 19, është thënë dhe stërthënë se prek më shumë të moshuarit, veçanërisht ata me sëmundje të mëparshme, si ato të zemrës, mushkërive apo diabeti.

Ndoshta sepse sistemet imunitare të të moshuarve nuk janë në gjendje ta luftojnë sëmundjen, siç duhet dhe se virusi mund të shumëfishohet më lehtësisht, duke pushtuar trupin dhe duke shkaktuar kolapsin e organeve të ndryshme. Por ndërsa historitë shtohen, po bëhet e qartë edhe se shumë njerëz, të rinj, sëmuren dhe humbin jetën madje, edhe pa sëmundje të tjera të mëparshme. Kemi mësuar tashmë se të rinjtë dhe të shëndetshmit nuk janë domosdoshmërisht imun ndaj këtij infeksioni dhe se mund të sëmuren po ashtu.

Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, në një studim paraprak të 2449 pacientëve, thotë se 18 për qind e atyre që u shtruan në spital, ishin të moshës 45-54 vjeç dhe 20 për qind, të moshës nga 20 në 44 vjeç. Të rinjtë, sipas doktor Antoni Faucit, janë më pak të predispozuar të humbin jetën, por ka edhe një element të ri, ende të paqartë, që e bën koronavirusin një sëmundje shumë të pazakontë.

“Ka diçka që ne nuk po e kuptojmë”, thotë ai. Nuk mendoj se ka të bëjë vetëm me moshën apo sëmundjet e mëparshme. Ka diçka tjetër që shpresoj ta zbulojmë shpejt – thotë ai. Kërkuesit mendojnë se përgjigjja mund të gjendet në gjenet tona dhe po përpiqen të kuptojnë se çfarë i dallon njerëzit që e kalojnë sëmundjen lehtë nga ata që vdesin. Një mundësi është variacioni i gjenece ACE2. Ato janë një enzimë që lidhet me sipërfaqen e jashtme të qelizave në mushkëri dhe në zemër. Variacionet e këtyre gjeneve, mund ta bëjnë më të lehtë apo më të vështirë për virusin hyrjen në qeliza. Ekziston edhe mundësia që një përbërës i prodhuar nga trupi, i njohur si surfactant, që lejon mushkëritë të zgjerohen dhe kontraktohen, mund të bëhet i padobishëm tek disa pacientë të prekur nga koronavirusi.

Sidoqoftë, për ta kuptuar më mirë këtë patologji, thonë ekspertët, do të duhen muaj të tjerë. Për momentin, këshilla mbetet e njëjtë. Qëndroni në shtëpi, lani duart dhe reduktoni ekspozimin ndaj virusit sa më shumë të jetë e mundur.