Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dy vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.
Radio Evropa e Lirë e ka parë një draft të raportit 150-faqesh, në të cilin vlerësohet përmbushja apo jo e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.
Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë nesër pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.
“Përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.
Raporti vlerësoi se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.
Situata politike në Kosovë vlerësohet si qëndrueshme, ku raporti e përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës e cila ia ka “mundësuar ta çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane”.
Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor. Tashmë, si problem kronik, përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, përkundër faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit, sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë të cilët shkojnë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet por vazhdojnë bojkotin.
Raporti ka dhënë disa vërejtje në fushën e lirisë së mediave. Ai përmend sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, jo transparenca e pronësisë së mediave. Si shqetësim i veçantë në raport përmendet gjendja e lirisë së mediave në veri të Kosovës.
Të mërkurën, në takimin e Kolegjit të 27 Komisionarëve, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.
Është hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces. Janë gjashtë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pastaj Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, ndërsa raport i progresit i bëhet ende edhe Turqisë që vazhdon formalisht ta ketë statusin e vendit kandidat.







