“Përmbajtja e njëjtë, vota e njëjtë”, Rrahmani i VV-së i përgjigjet Haxhiut për Kodin Civil

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se nëse përmbajtja e Kodit Civil është e njëjtë, atëherë edhe vota do të jetë e njëjtë. Kjo përgjigje e Rrahmanit vije, pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ky projektligj do të procedohet në Kuvendin e Kosovës së shpejti d, duke shtuar se beson se do të miratohet.

Deputeti Eman Rrahmani theksoi se nëse përmbajtja e projekt-kodit civil është e njëjtë, atëherë edhe vota do të jetë e njëjtë.

“Përmbajtja e njëjte, vota e njëjtë”, ka thënë shkurt Rrahmani për Nacionale.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja Haxhiu tha se kanë pasur takime me deputetët që e kanë kundërshtuar këtë kod dhe ka thënë se tash Kodi Civil do të miratohet.

“Besoj që shumë shpejt e procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe do të kalojë në Kuvend, për faktin se është dokument i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me grupin parlamentar, qeveria jonë dhe grupi parlamentar angazhohen për avancimin e të drejtave të njeriut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e Kodit Civil, besojmë se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Kjo bazohet në takimet që kemi pasur me grupin parlamentar. Nuk them që secili prej grupit do të votojë për, ka ende disa që kanë qëndrime dhe bindjet e tyre, por Qeveria dhe grupi parlamentar me shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Për hir të proceseve që kemi apliku, p.sh. aplikimi në Këshillin e Evropës, dhe për t’u bërë anëtar duhet të respektohen të drejtat e njeriut. Shpresoj ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit parlamentar, por edhe të opozitës”, tha Haxhiu.

Kujtojmë Kodi Civil kishte dështuar në Kuvend, pasi disa deputetë të grupit parlamentar të VV-së ishin kundër pikës që e mundëson bashkëjetesën e personave me gjini të njëjtë. /Demokracia.com/