Përleshje mes të rinjve në Prishtinë, theret me thikë një 18-vjeçar

Në një përleshje fizike janë përfshirë mbrëmë edhe tre të rinj në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, ku si pasojë ka mbetur i therur me thikë një 18-vjeçar.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje me plagë që dyshohej se i ishin shkaktuar si pasojë e goditjeve me thikë.

Pas dhënies së ndihmës mjekësore, gjendja e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, si dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit.

Dy të rinjtë janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me rastin e rëndë.

Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.