Prishtinë

Përkundër ndalesës, vazhdon shitja e qymyrit në tregjet e Prishtinës

Vitin e kaluar në kryeqytetin e Kosovës, u krijua gjendje alarmante në cilësinë e ajrit për shkak të shkallës së lartë të ndotjes.

Matës të ndotjes të komunës së Prishtinës, ambasadës amerikane por edhe matës të agjencive të ndryshme për cilësinë e ajrit e renditën Kosovën në vendet me ajrin më të ndotur në botë.

Përfaqësuesit ndërministror të Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja me propozim të kordinatorit, ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, aprovuan propozim vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike, shkruan lajmi.net.

E pas debatit dy ditor, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën e cila kërkon që ambienti të jetë prioritet i lartë për Qeverinë. Gjithashtu rezoluta kërkon nga Qeveria të merr vendimin për ndalimin e thëngjillit për ngrohje në ndërtesa kolektive.

Përmes kësaj rezolute, Qeveria duhet të marrë masa në kontrollin teknik të automjeteve sipas ligjit në fuqi që ndalon përdorimin e veturave më të vjetra se 10 vite, pasi që emetimi i gazrave nga këto automjete cilësohet si një ndër shkaktarët kryesor në ndotjen e ajrit.

Por edhe përkundër ndalesës që ishte bërë nga MMPH në bashkëpunim me komunën e Prishtinës për shitjen dhe përdorimin e qymyrit, kjo lëndë djegëse ende vazhdon të shitet nëpër tregjet e Prishtinës.

Ekipi i lajmi.net ishin në disa nga tregje ku bëhej shitja e qymyrit, për të parë nëse ende vazhdon shitja e tij.

Në tregje shihej se shitësit e qymyrit, edhe pse në numër më të vogël nuk e kanë ndalur biznesin e tyre.

Duke u nisur nga kjo situatë, si duket ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bashkë me komunën e Prishtinës nuk po e bëjnë kontrollimin e terrenit përmes inspektorëve për ta ndaluar shitjen e qymyrit, kështu duke bërë vazhdimin e masës mbrojtëse ndaj ndotjes së ajrit, masë që ishte marrë nga vet ata.