Përkundër kërkesave ndërkombëtare, veriu mbetet i barrikaduar

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, dy ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Të shtunën mbrëma pati edhe incidente, ku serbët shkëmbyen zjarr me policinë, si dhe rrezikuan sigurinë e gazetarëve që po raportonin nga afër barrikadës së vendosur në Rudarë, pasi hodhën shok-bomba pranë tyre.

Ndërkaq, e diela ishte më e qetë, por që u përcoll me reagime nga ndërkombëtarët.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe ajo në Beograd, në një deklaratë të përbashkët, bënë thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura në ato zona.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka reaguar edhe Britania e Madhe e cila po ashtu tha se pret që të hiqen barrikadat ilegale të vendosura në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Përkundër kërkesave nga SHBA dhe Britania e Madhe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk është bindur që të hiqen barrikadat në veriun e Kosovës.

Ai pas mbledhje së Këshillit të Sigurisë, ka thënë se serbët nuk i vendosin barrikadat për “teket e tyre”.

“Ata nuk e kufizojnë lëvizjen e asnjë shqiptari, asnjë nga shqiptarët nuk lëviz kështu, kjo është shprehja e tyre e protestës kundër arrestimit të njerëzve, rrahjes së njerëzve, keqtrajtimit të njerëzve dhe mospërmbushjes së marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Vuçiq teksa propagandonte.

E për sa i përket marrëveshjeve të Brukselit, Vuçiq ka pyetur SHBA-të se cilën marrëveshje e ka respektuar Kosova.

Përmendi edhe marrëveshjen e Uashingtonit e nënshkruar më 4 shtator 2020.

“Cilën marrëveshje e respekton Prishtina, cilën marrëveshje e respektoni ju, a është Karta e Kombeve të Bashkuara, a është Akti Final, Rezoluta 1244, a është Marrëveshja e Uashingtonit, thuani një nga këto akte që respekton Prishtina, ka deklaruar Vuçiq.