Përkundër eliminimit në gjysmëfinale, Barcelona fitoi më së shumti para nga Championsi i fundit

Barcelona është klubi që përfitoi më së shumti para nga edicioni 2018/19 i Ligës së Kampionëve, përkundër eliminimit nga kjo garë në fazën gjysmëfinale, në mënyrë tronditëse, nga Liverpooli.

Gjithsej, klubi katalonas i fitoi 117 milionë euro, bazuar në paratë që ndahen për fitore, barazime e kalime të rundeve, si dhe bazuar në disa faktorë të tjerë si: koeficienti historik dhe paratë e shitjes së të drejtave televizive.

Kampioni në fuqi i kësaj gare, Liverpooli, i grumbulloi 111 milionë euro dhe koeficienti historik është arsyeja kryesore pse ‘The Reds’ radhiten pas Barcelonës në këtë listë, përkundër që e mposhtën atë në gjysmëfinale.

Përderisa Barcelona u shpërblye me 34 milionë euro falë koeficientit historik, Liverpooli i fitoi nga ky koeficient 11 milionë euro më pak, 23 milionë.

Tottenhami është i radhës në këtë listë me 101 milionë euro, para klubeve si Juventusi (95 milionë euro), Manchester Unitedi (93 milionë euro), Manchester City (93 milionë euro), Real Madridi (85 milionë euro), Atletico Madridi (85 milionë euro) dhe Bayerni (82 milionë euro).

Edhe pse Ajaxi e arriti fazën gjysmëfinale, duke pësuar disfatë në këtë rund nga Tottenhami shkaku i epërsisë së golave të shënuar si mysafir, ata i fituan vetëm 78 milionë euro, duke u radhitur kështu në pozitën e 12-të në këtë listë.

Shitja e të drejtave televizive ishte arsyeja kryesore pse klubi holandez mbeti kaq shumë prapa klubeve të tjera që arritën në fazat më të vonshme të Ligës së Kampionëve, pasi që nga Ajaxi s’ishte pritur suksesi deri në gjysmëfinale.