Në 20 vjetorin e rënies janë përkujtuar tre dëshmorët dhe 11 martirët e fshatit Vitak të Skenderajt.
Në përkujtim të tre dëshmorëve Zeqir e Isuf Malaj dhe Ismet Spahiu, si dhe të 11 martirëve të fshatit Vitak është mbajtur edhe një akademi përkujtimore.Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se sot kujtojnë e respektojnë të gjithë dëshmorët dhe martirët që gjaku i tyre u bë liri për Kosovën. “Muaji mars sjellë në vëmendjen tonë sakrificën e popullit tonë për lirinë e vendit, për lirinë e kësaj toke për të cilën breza të tërë sakrifikuan jetën dhe dhanë gjithçka që patën, vetëm për të mos duruar pafundësisht robërinë.
Lufta e popullit shqiptar pothuajse na mori gjithçka që kishim, por kurrë nuk u dorëzuam në rrugëtimin tonë drejt lirisë së vendit. Pasi që lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë dhe e pastër, u pagua me jetë kjo liri, ranë dëshmorë shumë burra të zotë të atdheut dhe të tillë ishin edhe dëshmorët Zeqir e Isuf Malaj dhe Ismet Spahiu”, tha Jashari.
Të pranishmëve në këtë akademi u është drejtuar edhe vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, i cili ka thënë se po përkujtojnë ata që ranë për lirinë që sot e gëzon populli i Kosovës.”Sot jemi tubuar në 20 vjetorin e rënies heroike të gjithë këtyre dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë të tjerëve. Lavdi dhe nderime për mot e jetë të gjithë atyre që ranë për këtë liri të cilën po e gëzojmë ne sot”, u shpreh ai.
Në akademi ka marrë pjesë edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, e cila ka thënë se dëshmorët dhe martirët duhet të kujtohen çdo ditë për të mos u harruar gjaku i derdhur për liri. “Organizime të tilla si këto duhet të ndodhin çdo ditë që ne të mos e harrojmë gjakun e derdhur për liri dhe ta lartësojmë sa më lartë amanetin e tyre”, tha deputetja Musliu.
Ndërsa kryetari i fshatit Vitak, Ajvaz Teraku, tha se fshati Vitak njihet për trimëri, ku tashmë të rënët e këtij fshati u bënë ballë forcave paramiltare të armikut.”Fshati Vitak njihet si vend i luftës dhe i mbrojtjes heroike nga ushtria e lavdishme e cila me forcat e saja dhe me trimërinë e saj arriti të bëjë ballë armikun duke luftuar për të na mbrojtur vendin tonë. Në këtë fshat ishte formuar UÇK-ja në kushte mjaftë të vështira, por pamundësia për tu përballur me forcat çetniko serbe ishte shumë e rëndë “, tha ai.
Gjatë ditës kryetari i Skenderajt ka bërë homazhe edhe tek varri i dëshmorit Mustafë Qorraj në Pemishtë, si dhe tek varrezat e martirëve në Pemishtë.Jashari homazhe ka bërë edhe pranë varrit të dëshmorit Ilir Lushtaku në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë







