Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numër 51, Hamdi Komoni Loki, ka vlerësuar lartë përkrahjen e qytetarëve në disa lokalitete, duke theksuar se ajo që u dëshmua atje ishte një lidhje e fortë shpirtërore me rrugën politike të Aleancës dhe vizionin e saj për Kosovën.

Përmes një postimi, Komoni ka bërë të ditur se gjatë takimeve në Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Dubravë dhe Jasiq të Ri, qytetarët shprehën përkrahje të sinqertë, besim të madh dhe gatishmëri për të ecur përpara së bashku drejt ndryshimit.

“Në këto vende simbol të sakrificës dhe qëndresës, qytetarët dëshmuan përkrahje të sinqertë, besim të madh dhe lidhje shpirtërore me Aleancën dhe rrugën tonë politike,” ka deklaruar Komoni.

Ai i ka falënderuar qytetarët për mikpritjen dhe besimin e treguar, duke theksuar se kjo mbështetje është burim force dhe motivimi për angazhimin e tij politik.

Komoni ka ritheksuar përkushtimin e tij ndaj vizionit të AAK-së dhe liderit të saj, Ramush Haradinaj, duke u shprehur se bashkë me qytetarët do të vazhdojnë rrugën drejt ndërtimit të një Kosove më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar.