“Përhapën dezinformata për tërmetin”, policia turke vë në pranga 14 persona

Policia në Turqi ka vënë në pranga 14 qytetarë që dyshohet se kanë dezinformuar rreth tërmetit katastrofik të së hënës së shkuar.

Në një deklaratë të bërë të hënën, policia turke njoftoi se 475 përdorues “kanë shpërndarë përmbajtje provokuese” në mediat sociale në lidhje me tërmetin.

Sipas policisë, qëllimi i tyre ishte që të shpërndanin frikë dhe panik mes qytetarëve.

“Detaje rreth tyre u janë kaluar njësive relevante dhe në përputhje me udhëzimet e dhëna nga Kryeprokuroria Publike janë ndaluar 56 persona, 14 prej të cilëve janë arrestuar”, thuhet në njoftim.

Policia turke bëri po ashtu të ditur se ka mbyllur gjithashtu 41 faqe interneti dhe se ka trajtuar katër llogari të platformave të mediave sociale “që kërkonin para nga qytetarët duke përdorur ose imituar emrat e institucioneve qeveritare”.

Kujtojmë se të mërkurën e kaluar, qasja në platformën e mediave sociale Twitter u kufizua nga autoritetet turke pas tërmetit dhe më pas aksesi u rikthye./A2news