Përgjimet, KGjK themelon komision për shqyrtimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj Driton Muharremit

Ditë më parë në media janë publikuar audio-incizime që kanë bëjnë me sektorin e drejtësisë, saktësisht në prokurori prej ku mund të hedhen dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion.

Në audio-inicizimet e publikuara pretendohet të jetë i përfshirë edhe anëtari i KGjK-së/gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Driton Muharremi.

Lidhur me këtë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme (të mbyllur) me një pikë të rendit të ditës: “Diskutim për veprimet e KGjK-së pas publikimit në media të bisedave të regjistruara ku përfshihet një anëtar i KGjK-së”.

Me këtë rast, KGjK themeloi komisionin ad hoc për shqyrtimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj anëtarit të KGjK-së, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës nenit 19 “Procedurat disiplinore për anëtarët e Këshillit”.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kambanat për cenimin e drejtësisë po bien sërish.

Haxhiu shtoi se audio-incizimet e fundit tregojnë se procesi i vettingut është i pashmangshëm.

“Askush nuk ka dilemë se Vettingu në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm. Bëjë thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të ndërmarrin urgjentisht hapa në këtë drejtim dhe të hetojnë të gjithë ata persona që cenojnë integritetin e institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.