Dialogu

Përgatitjet për takimin e 14 shtatorit – kriza në veri, tema kryesore që s’figuron në agjendë?

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq pritet të dialogojnë më 14 shtator në Bruksel. Ndërmjetësit ende janë duke i dakorduar temat me palët e duke u përpjekur që ta çojnë përpara procesin e normalizimit. Por, tash e sa muaj kriza në Veri nuk po hiqet nga agjenda edhe pse formalisht Kosova e ka diskutuar atë ndaras me BE’në (takimi Bislimi -Lajçak në Bratisllavë). Për t’u dakorduar se për çfarë do të bisedohet,  Lajçak dje është takuar me Bislimin, njëri ka përmendur normalizimin, tjetri sekuencimin.

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u drejtua në menaxhimin e krizave që u shfaqën në Veri t ë Kosovës, pikërisht ashtu siç nuk donte Bashkimi Europian. Takimi i fundit Kurti-Vuçiq u mbajt më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës. Pas tij i gjithë fokusi u orientua në qetësimin e situatës, duke e lënë në hije marrëveshjen e arritur në Ohër.

Nga vendlindja e tij, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, njoftoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 14 shtator.

Siç ka deklaruar edhe kryeministri Kurti shumë herë që situata është e qetë dhe pa incidente që nga protestat e dhunshme të fundmajit, duket se kjo temë do të jetë në plan të dytë në takimin e ardhshëm dhe t’ia lë vendin marrëveshjes për normalizim.

Në takimet e fundit që zhvilloi Lajçak me bartësit e dialogut nga pala kosovare vërehet se temat e diskutimit nuk kishin për kryefjalë situatën në veri.

Në njoftimin e djeshëm të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për takimin që pati me zëvendëskryeministrin të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk u përmend fare situata në veri.

“Faleminderit zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për takimin në Bruksel. Ne kishim një diskutim të gjatë e përmbajtjesor në përgatitjen e takimit të ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë. Fokusi ynë kryesor ishte se si të avancojmë marrëdhëniet e normalizimit”, ka shkruar Lajçak.

As Bislimi nuk përmendi zhvillimet në Veri. Ai tha se marrëveshja bazike duhet të implementohet në tërësi dhe pa vonesa.

“Një plan i drejtë dhe i balancuar i sekuencimit është krucial”, ka shkruar Bislimi në X.

Lajçak shfrytëzoi edhe Forumin e Bledit për të mbajtur një takim me kryeministrin Kurti ku edhe pas këtij takimi e vuri theksin te normalizimi, megjithëse e përmendi deklaratën e Borrellit që i bënte thirrje Kosovës e Serbisë për të shtensionuar situatën.

“Pata një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, tha Lajçak më 28 gusht nga Bledi i Sllovenisë.

Sidoqoftë, kjo temë mori më shumë kohë në diskutimin e Lajçakut që pati me Vuçiqin në një takim në Beograd, dy ditë pas atij të Kurtit.

“Në Beograd sot kam pasur diskutime thelbësore me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut”, kishte njoftuar Lajçak.

Më 10 korrik në Bratislavë Kosova dhe Bashkimi Europian ranë dakord në katër pikat e hartuara për të shtensionuar situatën në veri të vendit. Këto pika do të duhej të zbatoheshin në një periudhë dyjavore.

Kosova u zotua për zvogëlim gradual të pranisë policore në dhe rreth objekteve komunale në katër komunat veriore dhe këtë është duke e zbatuar. Në pikën e tretë të marrëveshjes Kosovë-BE binte zotimi i Kosovës për të organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme. Edhe pse është hapur rruga përmes një udhëzimi administrativ, afatet e caktuara aty mund ta zgjasin procedurën e mbajtjes së zgjedhjeve rreth 100 ditë.

Kurti gjatë kësaj kohe ka ngulmuar që zbatimi i marrëveshjes së Ohrit të bëhet në plotëni dhe jo që disa nga pikat e marrëveshjes të prioritizohen.