Suedia

Përgatitjet për anëtarësim, Suedia dërgon trupa në vijën e frontit të NATO-s

Suedia do të dërgojë trupa luftarake në Letoni teksa po përgatitet për anëtarësim në NATO, megjithëse ende po përballet me kundërshtimin e Hungarisë. Ushtarët suedezë do të jenë pjesë e linjës së parë të mbrojtjes kundër një pushtimi të mundshëm rus në Baltik, shkruan Euronews.

Suedia ende nuk është anëtarësuar në aleancën ushtarake, por tashmë ka filluar të operojë në mënyrë aktive brenda kornizave të NATO-s.

Stokholmi do të dërgojë një njësi batalioni prej rreth 600 deri 800 ushtarë dhe artileri të blinduar për t’u bërë pjesë e “Pranisë së Përparuar të Përmirësuar” të NATO-s.

Batalioni do të qëndrojë në Letoni me rotacion gjashtëmujor. Pas pushtimit rus të Ukrainës, Suedia nisi një përpjekje për t’u bashkuar me NATO-n në maj 2022, duke hequr dorë nga një politikë e gjatë e neutralitetit.

Megjithatë, anëtarësimi i Stokholmit u bllokua nga Turqia dhe Hungaria, të cilat kërkuan të nxirrnin lëshime politike nga Stokholmi. Sipas rregullave të NATO-s, të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord përpara se një shtet i ri të mund të pranohet.

Parlamenti i Turqisë ratifikoi ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke hequr pengesën më të madhe të mbetur për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore pas 20 muajsh vonesë.

Por Hungaria është ende kundër hyrjes së Suedisë në aleancë. Sido që të jetë rezultati i votimit për anëtarësimin e Stokholmit në Hungari dhe Turqi, Suedia tashmë është regjistruar si një anëtare e plotë e manovrave të NATO-s “Steadfast Defender 2024”, më e madhja e këtij lloji që nga koha e Luftës së Ftohtë.

VIDEO BONUS: Adresimi i plotë, i përkthyer në shqip, i Albin Kurtit në mbledhjen mbrëmshme të KS së OKB-së