Agim Musliu

“Përgatitje për akt agresioni”, prania e forcave serbe afër kufirit të Kosovës

Njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së 21 marsit janë vërejtur disa metra larg kufirit të Kosovës, më saktësisht afër fshatit Banje të Zubin Potokut.

Këtë lëvizje të forcave ushtarake të Serbisë, Kosova duhet ta shikojë si përgatitje për akt agresioni.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve të sigurisë dhe drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, i cili ka theksuar se kjo përgatitje e mundshme vjen pas dështimit të agresionit të mëparshëm në Banjskë më 24 shtator 2023.

“Pas dështimit të agresionit përmes “little green man”, më 24 shtator 2023 në Banjskë, Serbia mund të provokojë tani edhe me forca zyrtare!”, ka thënë Musliu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e së enjtes publikoi e njësive të specializuara të ushtrisë së Serbisë që shiheshin disa metra larg kufirit, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Sipas Kurtit, forcat ushtarake serbe po zhvillojnë stërvitje të rregullta, duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kurti publikon video, forcat e armatosura serbe shihen afër kufirit të Kosovës

“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar më tej Kurti në Facebook.

Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.