Përfundon takimi Mustafa-Lajçak, nga LDK’ja tregojnë se çka u diskutua

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sot ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç njofton zyra për media e LDK’së, në këtë takim është diskutuar për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kryetari Mustafa theksoi rëndësinë e dialogut dhe përmbylljen e tij me njohje të ndërsjell. Ai vlerëson se arritja e kësaj marrëveshje hap një kapitull të ri drejt normalizimit të raporteve mes dyja vendeve, do të siguronte stabilitet rajonal, ndërsa Kosova hap rrugët drejt integrimit euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Lajçak është takuar dje edhe me liderët e partive të tjera në vend, si dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Për takimin me Kosnett ka njoftuar vetë Lajçak përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, duke thënë se SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesa të njëjta për Ballkanin Perëndimor.

“Pata një diskutim shumë të mirë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett. Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja ndajnë të njëjtat interesa në Ballkanin Perëndimor. Ne duam të shohim përparimin e rajonit dhe të kemi një perspektivë evropiane të vërtetë dhe të prekshme”, ka shkruar Lajçak.