Përfundon takimi, Jasharaj: S’ka marrëveshje me Qeverinë

Ka përfunduar takimi në mes të Qeverisë dhe përfaqësuesve të Këshillit Grevist të BSPK-së.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar se ka përfunduar takimi me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Sipas Jasharajt, ky takim ka përfunduar pa një epilog, kjo pasi që Qeveria ka refuzuar kërkesën e tyre dhe rrjedhimisht greva do të vazhdojë.

“Të dy palët i kanë thënë mendimet dhe idetë e tyre. Ne si këshill grevist ia rikujtuam kryeminsitrit Kurtit kërkesat tona që tashmë i dini të gjithë, kurse ata u thirrën në pakon e rimëkëmbjes. Takimi ishte përmbajtjesor por për momentin nuk kemi asgjë ndryshime. Qeveria qëndron me pakon, ne qëndrojmë si zë grevist me kërkesat tona. Temë e nxehtë ishte pakoja, por ne insistuam që shuma e përmendur që nuk është pranuar nga asnjë grevistë, ne ishim të gatshëm që edhe këtu të bëjmë një kompromis, por Qeveria mbeti në atë që kanë prezantuar”, ka deklaruar Jarashaj, raporton më tutje Demokracia.com.

Sipas tij, ka qenë kryeministri Albin Kurti ai i cili nuk ka lëvizur dhe ka qenë këmbëngulëse me kërkesën e tyre për pakon prej 50 eurove dhe rrjedhimisht sipas Jasharajt, përderisa nuk ka dakordim nga të dy palët, situata mbetet e njëjtë sa i përket grevës.