Përfundon takimi i liderëve të koalicionit, Limaj: S’kemi asnjë mospajtim

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj ka folur pas takimit me partnerët e koalicionit, Isa Mustafën, kreun e LDK’së dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Limaj tha para mediave se deklarimi i tij është në emër të partnerëve të koalicionit.

Ai tha se sot kanë pasur një takim të rregullt.

“Takime që janë të rregullta ku analizohen tema të rëndësishme për vendin. Natyrisht një nga temat kryesore sot ishte dialogu, sidomos pas marrëveshjes në Uashington. Është një moment i ri ne si partnerë duhet të jemi të kujdesshëm. Efikasiteti jonë duhet të shihet edhe të jetë i qartë në tavolinën e bisedimeve përballë ndërmjetësve dhe palës tjetër”, ka thënë Limaj, duke thënë se Kosova duhet të jetë unike që procesi i dialogut të përmbyllet sa më shpejtë.

“Jemi në një dinamikë të re. Duhet të fokusohemi fuqishëm që Kosova të jetë sa më e përgatitur që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë”, ka thënë ai.

Limaj ka folur edhe për Liqenin e Ujmanit që ka qenë pjesë e marrëveshjes në Uashington.

“Liqenin e Ujmanit është duke e menaxhuar Kosova, vendi ynë. Fizibiliteti është diçka tjetër, na kemi nevojë për fizibilitet të shumë ndërmarrjeve ekonomike. Sikur fizibiliteti i hekurudhës”, thotë ai.

Sipas kreut të Nismës, mes partnerëve të koalicionit nuk ka mospajtime, vetëm ka nevojë për koordinim më të ngushtë.

“Mendoj që nuk ka mospajtime, ka nevojë koordinim më i ngushtë, dhe parapërgatitje profesionale dhe mbështetje e fuqishme politike.

Gatishmëri e të gjithëve është që të ecim në këtë drejtim. S’ka këtu interesa të ngushta partiake. Interesi jonë është që të dalim sa më të fuqishëm që të imponojmë një dinamik të re. Ne jemi të kënaqur me angazhimin e delegacionit të Kosovës deri më tani”, ka thënë ai.

“Mos të bëhen gara kush është patriot kush është tradhtar, kërkohet një pjekuri politike. Të bashkohemi për dialogun pozitë dhe opozitë, një marrëveshje si ajo në Uashington ne do të jetojmë me atë marrëveshje. Qytetarët do të jetojnë nga prodhimi i asaj marrëveshje”, tha Limaj para gazetarëve./GazetaExpress/