Përfundon seanca e Speciales, gjyqtari nxjerr dy urdhëra

Ka përfunduar seanca e pestë për ecurinë e çështjes së Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, derisa gjyqtari Nicolas Gulliou ka urdhëruar që të ndryshojë afati kohor për dorëzimin e mocioneve si dhe që ZPS-ja të dorëzojë parashtrimet për nevojën e paraburgimit të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Gjyqtari ka bërë të ditur se vendimet për mocionet do të nxirren më 16 korrik, derisa ka dhënë 28 majin si datë për parashtrimet e vazhdimit të paraburgimit, raporton Demokracia.com.

“Afati kohor për dorëzimin e mocioneve paraprake ndryshon. Vendimet për mocionet nxirren të premten më 16 korrik. Pasi kam dëgjuar palët, do të nxjerr një urdhër të dytë gojor për parashtrime lidhur me vijimin e paraburgimit, urdhëroj ZPS-në të dorëzojë parashtrime për nevojën e vazhdimit të paraburgimit deri të premten, 28 maj. Përgjigja përkatëse të ekipeve të mbrojtjes, nëse dëshirojnë, deri të hënën 7 qershor”, ka thënë Gulliou.

Ndërkohë, në seancën e sotme është diskutuar lidhur me kërkesën e mbrojtjes për t’u pajisur me materiale, gjë për të cilën nga ZPS-ja ka thënë se pritet të ndodhë gjatë muajit qershor, raporton Demokracia.com.

Avokatët e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kanë thënë se Specialja po e kryen punën “copë-copë” dhe nuk janë të gatshëm për të filluar gjykimin.

Sipas tyre, katër ish-pjesëtarët e UÇK-së janë duke u mbajtur në paraburgim derisa Prokuroria të bëjë “njëfarë rënditje”.