Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pas mbledhjes së kësaj partie ka thënë dallimet sa i përket qëndrimit rreth taksës 100 për qind do të shkrihen me kohë.
“Është njëra nga proceset që Kosovës po ia harxhon oksigjenin politik. Është mirë të angazhohemi në probleme të tjera. Nuk është vetëm ky problem. Ne në qeveri e kemi zëvendëskryeministrin i cili koordinohet në baza ditore edhe me kryeministrin. Konsultimet e brendshme po çojnë në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Le të besojmë se hapi i parë është marrë dhe i është dhënë frymë këtij procesi. Deri në një qëndrim përfaqësuesit tonë do të koordinohen mes veti që t’i japin zgjidhje. Kjo i bie ne po punojmë që dallimet të shkrihen dhe të kemi qëndrime unike. Ne si LDK po angazhohemi të jemi urë politike duke e ruajtur stabilitetin tonë të brendshëm”, tha Haziri.
Ai ka thënë se këtë mbledhje janë diskutuar për çështje të brendshme të partisë, në fokus të interesimit kanë qenë proceset politike që po kalon Kosova, në veçanti roli i tyre në Kuvend, qeveri e pushtet lokal.
“Nuk ka pasur diçka të veçantë përveç angazhimeve që ne i realizojmë në kuadër të kalendarit tonë të rregullt”, theksoi ai
Teksa ka folur për rolin e kryeministrit Kurti në dialog me Serbinë, Haziri tha se këtë të drejtë ia jep Kushtetuta.
“Gjithçka që i jep Kushtetua institucioneve duhet t’i respektojmë dhe këtë drejtim, qeveria udhëheq me negociata për çështje specifike, dhe organet tjera kanë detyra tjera. Ne e ruajmë frymën Kushtetutën dhe jemi të fundit që e ruajmë këtë frymë Kushtetuese”, ka thënë Haziri.







